Dështimi para katër javësh në Kuvend i amendamentit kushtetues, i cili do t’i hapte rrugë themelimit të Gjykatës Speciale, e ka vënë në pozitë të vështirë edhe funksionimin e koalicionit PDK- LDK. Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi duket se ende nuk po arrin t’i bind deputetët e tij që të votojnë pro themelimit të kësaj gjykate, pavarësisht asaj se ai kërcënoi ata me dorëheqje nga partia.
Gazeta Blic nga burime ndërkombëtare ka marrë vesh se sipas të gjitha gjasave Qeveria në fillim të javës së ardhshme do të procedoj edhe njëherë amendamentin kushtetues, i cili do t’i hapte rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.
Sipas këtij burimi, presioni i amerikanë vazhdon të rritet.
“Amerikanët e duan themelimin e Gjykatës Speciale deri më 1 gusht, pra para se Kuvendi i Kosovës të shkoj në pushime”, ka thënë ky burim i Gazetës Blic.
Edhe kryeministri i vendit, Isa Mustafa sot i ka kërcënuar deputetët se nuk do të ketë pushime pa u themeluar Gjykata Speciale.
Megjithatë, i pari i ekzekutivit nuk e di as vetë se kur do të ndodh riprocedimi i amendamentit kushtetues nga ana e Qeverisë.
Ndërkaq, një zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës, i ka thënë Gazetës Blic se ekzekutivi është në dilema të mëdha se si do ta riprocedoj amendamentin kushtetues.
“Kemi edhe më tutje paqartësi ligjore se si të veprojmë”, tha ky zyrtar në kushte anonimiteti.
Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci ka thënë për Gazetën Blic se Gjykata Speciale duhet të kaloj sa më parë të jetë e mundur. Madje, ai ka shprehur bindjen se ajo do të kaloj, mirëpo nuk ka qartësuar kohën se kur do të ndodh një gjë e tillë.
“Ne presim nga Qeveria që ta bëjë procedimin e amendamentit kushtetues, i cili do t’i hapte rrugë themelimit të Gjykatës Speciale”, ka thënë Grabovci për Gazetën Blic.
I pyetur nëse i kanë numrat për themelimin e kësaj Gjykate, Grabovci ka thënë se para se të flasim për numrat duhet që ne si Kosovë të ofrojmë argumente bindëse se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë, ka qenë e pastër dhe nuk ka qenë kundër askujt.
Njëri ndër njerëzit me më ndikim në PDK, Adem Grabovci konsideron se Kosova qindra arsye për t’i thënë JO kësaj gjykate, megjithatë sipas tij, një arsye e fortë që duhet t’i themi PO kësaj gjykate është sugjerimi i dashamirëve tanë.
“Për të ruajtur marrëdhëniet tona me vendet që e mbështetën në vazhdimësi Kosovën, duhet që ta votojmë këtë gjykatë dhe të dëshmojmë se lufta e UCK-së ka qenë e drejtë dhe e pastër”, thotë shefi i deputetëve të PDK-së.
Madje, sipas tij, me themelimin e kësaj gjykate, do ta tregojmë pafajësinë e udhëheqësve të luftës sonë të drejtë dhe do t’ua mbyllim gojën të gjithë shpifësve, duke filluar nga Carla Del Ponte e deri tek shkrimi i fundit që ishte në politico.eu.
Saktësisht sot katër javë, Kuvendi i Kosovës kishte dështuar që ta kaloj amendamentin kushtetues, i cili do t’i hapte rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.
Ishin 13 deputetë të PDK-së, ata që i thanë JO kësaj gjykate, së bashku me deputetët e opozitës. Nga 13 deputetë, 7 votuan kundër, 2 abstenuan dhe 4 të tjerë i ikën votimit.