Shumica prej tyre u dënuan në mungesë për “vepra të terroriste”, ndërsa në burg ishin vetëm Besim Rama dhe Idriz Asllani, të arrestuar në fund të vitit 1996.
Lajmi.net ka siguruar dosjen e 27 marsit të vitit 1997, ku Adem Jashari, Hashim Thaçi, Sami Lushtaku dhe të tjerët akuzohesh për krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qysh në vitin 1992 dhe përgatitjen e tyre në Shqipëri po atë vit.
Në “arsyetimin” e dënimit thuhet se pasi që në fillim të vitit 1992 qëndruan në Republikën e Shqipërisë, të akuzuarit Adem Jashari, Hashim Thaçi, Jakup Nura, Fadil Kadriu, Sahit Jashari, Rafet Rama, Sami Lushtaku, Ilajz Kadriu dhe Rexhep Selimi, ku ushtarakisht u përgatiten, së bashku me pjesëtarët e ushtrisë shqiptare nën komandën e oficerëve atje, të gjithë të akuzuarit në territorin e komunës së Skenderajt kanë formuar “bashkim armiqësor terrorist”.
“Këta vepruan si pjesë e së njëjtës organizatë, e cila ka vepruar në territorin e Kosovës me qëllim që të kryej akte të organizuara të dhunës të inspiruar nga motivet politike në mënyrë që të cenohet rendi kushtetues dhe siguria e RSFJ (Jugosllavisë), me qëllim final që territori i Kosovës dhe rajone tjera të banuara me pakicën shqiptare të ndahet nga RSFJ dhe të formohet shtet i veçantë dhe më pas t’i bashkohet Shqipërisë”, thuhet tutje në “arsyetimin e dënimit”.
Po ashtu në “arsyetimin e dënimit” thuhet se këta persona kanë futur në Kosovë sasi të mëdha të armatimit si: pushkë automatike, snajperë, revole, bomba dore, tromblon mina dhe mjete tjera shpërthyese, si dhe pajisje tjera ushtarake ku shumica ishin nga ushtria shqiptare.
“Ata kanë mbajtur edhe takime ilegale, më së shpeshti në Prekazin e Ulët, ku janë marrë vesh, janë përgatitur dhe kanë planifikuar kryerjen e sulmeve të armatosura dhe aksioneve terroriste në Mitrovicë, Drenas, Vushtrri dhe Skenderaj. Të gjitha këto sulme dhe të tjerat do të bëheshin në koordinim me grupet e njëjta nga vendet tjera, të cilët akte të tilla në vazhdimësi kanë kryer në territorin e Kosovës. Janë sulmuar me armë zjarri dhe bomba objekte, automjete dhe pjesëtarë të MUP-it të Republikës së Serbisë, objektet e Ushtrisë së Jugosllavisë dhe objektet ku janë të vendosur refugjatët. Nga këto akte janë privuar nga jeta katër persona dhe kanë tentuar t’i privojnë nga jeta edhe 16 persona tjerë. Kjo ka ngjallur frikë dhe pasiguri në mesin e banorëve, ku më pas nga ana e organizatës janë lëshuar 29 komunikata, në të cilat e njëjta organizatë me emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka marrë përgjegjësinë për akte terroriste”, thuhet në “arsyetimin e dënimit”, shkruan lajmi.net.
Në aktakuzën specifike për Hashim Thaçin, Besim Ramën dhe Jakup Nurën, thuhet se këta të tre në natën ndërmjet 13 dhe 14 majit të vitit 1993 janë takuar në shtëpinë e Nurës në fshatin Prellovc.
“Sipas marrëveshjes paraprake, i akuzuari Besim Rama dhe Jakup Nura janë takuar në shtëpinë e Nurës, ku janë marrë vesh dhe janë përgatitur që atë natë të kryejnë aksion terrorist në pajtim me të akuzuarin Hashim Thaçi”, thuhet në aktakuzë.
“Më pas me veturën e të akuzuarit Jakup Nura të tipit ‘Opel Manta’ kanë shkuar në Drenas, ndërsa veturën e ngiste Avni Nura, i cili me të njëjtën veturë është kthyer në Prellovc, ndërsa të akuzuarit Besimi dhe Jakupi janë takuar me të akuzuarin Hashim në afërsi të kalimit hekurudhor në hyrje të Drenasit dhe të armatosur: Të akuzuarit Besimi dhe Hashimi ishin të armatosur me pushkë automatike, revole dhe bomba dore, kurse i akuzuari tjetër, Jakupi, kishte pushkë automatike, revole dhe bomba dore. Ata vendosën pritë në afërsi të kalimit hekurudhor, ku veturat detyroheshin të ngadalësonin dhe kështu të përgatitur prisnin me qëllim që në momentin e kalimit të veturave të MUP-it në të njëjtat të hapnin zjarr nga pushkë automatike dhe t’i privonin nga jeta personat në vetura. Deri të kjo nuk erdhi, pasi që në periudhën kohore prej 1 ore sa pritën nuk kaloi asnjë veturë e policisë, ku më pas u tërhoqën. Hashim Thaçi shkoi në shtëpinë e tij, kurse Besimi dhe Jakupi shkuan në fshatin Prellovc në shtëpinë e të akuzuarit, Jakup Nurës”, thuhet në aktakuzë. /Lajmi.net/