Ekskluzive, intervistë me Ambasadorin e Francës: S’po shohim progres, s’janë plotësuar kushtet për t’u hequr masat e BE’së

E publikuar: 29/07/2023 12:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
guerot-Olivier Guérot

A do të marrin pjesë serbët në zgjedhjet e parakohshme në Veri, kur do të mbahet takimi i radhës Kurti- Vuçiq, a do të ketë konferencë ndërkombëtare, cili është qëndrimi i Presidentit Macron për draft statutin e Asociacionit që Edi Rama ia ka prezantuar atij dhe Kancelarit të Gjermanisë, si do të duket Asociacioni sipas pikëpamjes së Parisit dhe kur duhet të krijohet, a është fundi i vitit afati për marrëveshje përfundimtare Kosovë – Serbi. Ambasadori i Francës, Olivier Guérot flet për Gazetën Express. Lexojeni të plotë intervistën.

Kryeministri Albin Kurti ende ka çështje të hapura me Bashkimin Europian për Veriun. Zëvendësi i tij Besnik Bislimi, gati tre javë më parë e solli një marrëveshje nga Bratisllava kur shkoi ta takojë Emisarin Miroslav Lajçak, pasi Kosova mori ndëshkimin europian, por kjo nuk i ka ndryshuar shumë gjërat. Hapat që i ka bërë Qeveria për shtensionimin e situatës në pjesën veriore nuk po konsiderohen të mjaftueshëm, për ta përmbushur kërkesën që po e artikulojnë Kurti dhe Bislimi – heqjen e masave ose sanksioneve. Në një intervistë për Gazetën Express të realizuar nëpërmjet e – mailit, Ambasadori i Francës Olivier Guérot ka një mesazh direkt, “Koha po kalon dhe nuk po shohim asnjë përparim”. Këtu bëhet fjalë për vonesat në largimin e policisë dhe mungesën e përgatitjeve për zgjedhje.

“Nuk shohim ndonjë progres as për zgjedhjet e parakohshme, as për miratimin e akteve nënligjore konform nenit 72 të ligjit të qeverisjes lokale për zgjedhjet. Pa miratimin e nje akti nënligjor, qytetarët e Kosovës nuk mund ta shfrytëzojnë të drejtën që u jep ky ligj”, thekson ambasadori.

Konstatimi se nuk ka progres ambasadorin e çon në një përfundim.

“Masat e marra nga BE janë të kthyeshme. Ato nuk u morën lehtë, por qeveria e Kosovës ende nuk i ka plotësuar kushtet e nevojshme për heqjen e tyre”.

Pra, në bazë të përgjigjeve të përfaqësuesit diplomatik të Francës del se ka një bllokadë të re në raportet Prishtinë -Bruksel për deeskalimin në Veri.

Kurti s’është pajtuar që të largojë kryetarët nga objektet komunale atje, Guérot pohon se kërkesa europiane për këtë mbetet në fuqi.

Zyrarët e lartë europianë përgjegjës për dialogun tashmë kanë shkuar në pushimet verore dhe mund t’i shijojnë ato gjatë gjithë gushtit. Guerot, ndërkaq, paralajmëron një takim Kurti – Vuçiq pritet të ndodhë në fillim, siç thotë ai, të “vitit shkollor”, Por, deri atëherë, diplomati francez këmbëngul se topi ende është në fushën e Kosovës.

“E gjithë Evropa pret përmirësim të situatës dhe veprime konkrete nga qeveria e Kosovës në këtë drejtim. Përndryshe ketë e kërkojnë edhe Shtetet e Bashkuara dhe NATO”, thotë ai.

Gazeta Express: Ka dy javë nga marrëveshja Bislimi – Lajçak në Bratisllavë. Nuk pati shumë entuziazëm në BE dhe nga shtetet individuale për atë që arritën negociatorët në kryeqytetin sllovak ose më saktë për atë që Qeveria mori përsipër aty. Cili është komenti i juaj për këtë marrëveshje?

Olivier Guérot: Gjatë takimit të tyre në Bratislavë, z. Lajcak dhe z. Bislimi ranë dakord për tri pika prioritare që priten nga Kosova:

– Reduktimi i menjëhershëm i pranisë së policisë së Kosovës brenda dhe përreth ndërtesave komunale

– Vlerësimi i rregullt i përbashkët i situatës së sigurisë nga policia e Kosovës EULEX-i dhe KFOR-i nëse konsiderohet e nevojshme, në mënyrë që të vlerësohet mundësia e vazhdimit të zvogëlimit të pranisê së policisë sê Kosovës.

– Organizimi i zgjedhjeve të parakohshme në veri dhe krijimi i bazës së nevojshme ligjore

Ka pasur disa përparime, por ka ende zotime për t’u zbatuar, për shembull në koordinimin ndërmjet policisë së Kosovês dhe misioneve ndërkombëtare dhe në vlerësimin e sigurisë. Koha po kalon dhe nuk po shohim asnjë përparim. Po kështu, nuk shohim ndonjë progres as për zgjedhjet e parakohshme, as për miratimin e akteve nënligjore konform nenit 72 të ligjit të qeverisjes lokale për zgjedhjet. Pa miratimin e nje akti nënligjor, qytetarët e Kosovës nuk mund ta shfrytëzojnë të drejtën që u jep ky ligj.

Gazeta Express: A është ende kërkesë e BE’së largimi i kryetarëve të komunave (Leposaviq dhe Mitrovicë e Veriut) nga zyrat?

Olivier Guérot: Largimi i kryetarëve të Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut nga zyrat e tyre është pjesë e kërkesave të shprehura nga 27 shtetet anëtare të BE-së më 3 qershor dhe për këtë arsye mbetet aktuale.

Gazeta Express: Pala kosovare po kërkon heqjen e masave ndëshkuese që i vendosi BE pasi u pajtua të largojë një pjesë të policisë nga objektet komunale duke u shprehur edhe të habitur që kjo spo ndodhë? A kanë të drejtë?

Olivier Guérot: Tërheqja e një pjese të policisë nga ndërtesat komunale është një hap pozitiv, por jo i mjaftueshëm. Masat e marra nga BE janë të kthyeshme. Ato nuk u morën lehtë, por qeveria e Kosovës ende nuk i ka plotësuar kushtet e nevojshme për heqjen e tyre. Shpresojmë që kjo të ndodhë së shpejti. Ka projekte konkrete që janë të bllokuara, siç është ndërtimi i një impianti për trajtimin e ujrave të ndotura për Prishtinën dhe tre komunat përreth.

Gazeta Express: A janë pjekur kushtet që Kosova t’i shpallë zgjedhjet në këto katër komuna? Ka mospajtime edhe rreth mënyrës se si duhet të ndodhë kjo. Kryeministri është kategorik që kjo s’mund të bëhet me dorëheqje të kryetarëve. Kur duhet të mbahen zgjedhjet?

Olivier Guérot: Organizimi i zgjedhjeve të parakohshme në veri të Kosovës dhe krijimi i bazës së nevojshme ligjore janë pjesë përbërëse e marrëveshjes së arritur ndërmjet EUSR Lajçak dhe VPM Bislimi. Këto zgjedhje duhet të organizohen sa më parë.

Gazeta Express: A mendoni se serbët në Veri do të iniciojnë peticion për mbajtjen e zgjedhjeve nëse shkohet në këtë mënyrë?

Olivier Guérot: Tashmë gjatë zgjedhjeve të 23 prillit, ne shprehëm keqardhjen për mospjesëmarrjen e elektoratit. Inkurajimi i bojkotit nuk i ka shërbyer qytetarëve, siç po e shohim çdo ditë. Ne presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje kur të mbahen ato.

Gazeta Express: Nëse shpallen zgjedhjet a ka marrë garanci bashkësia ndërkombëtare ose QUINT’i nga Serbia se votuesit serb do të marrin pjesë në to? Emisari amerikan Gabriel Escobar tha që po…

Olivier Guérot: Përgjigja në këtë pyetje është dhënë tashmë.

Gazeta Express: Asociacioni duket se konsiderohet element thelbësor në rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Çfarë Asociacioni ka parasysh Franca kur i kërkon Kosovës themelimin e tij?

Olivier Guérot: Krijimi i ASMM-së është me të vërtetë një element thelbësor për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne nuk duam një asociacion te komunave me shumicë serbe që e bën Kosovën jofunksionale. Marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 ofrojnë garanci për konsultimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. E inkurajoj Qeverinë e Kosovës që të bëjë një propozim konkret për statutin e asociacionit.

Gazeta Express: A është fundi i këtij viti afati deri kur Franca pret që Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë pikat e Marrëveshjes (Aneksit) të finalizuar në Ohër?

Olivier Guérot: Duhet të organizohen takime të reja të nivelit të lartë dhe ne inkurajojmë të dyja palët të mbajnë një qëndrim konstruktiv për të arritur zbatimin e kësaj marrëveshjeje sa më shpejt të jetë e mundur.

Gazeta Express: Bashkimi Evropian ka marrë masa ndëshkuese ndaj Kosovës. Gjithashtu edhe Gjermania. A ka pasur ndonj masë që është marre edhe nga Franca por qe s’është bërë publike?

Olivier Guérot Franca mbështet masat e marra nga Bashkimi Evropian në emër të 27 shteteve anëtare. Masat nuk janë vetëm ato të institucioneve evropiane. 27 krerët e shteteve dhe qeverive folën edhe për situatën gjatë Këshillit Evropian në fund të qershorit. E gjithë Evropa pret përmirësim të situatës dhe veprime konkrete nga qeveria e Kosovës në këtë drejtim. Përndryshe ketë e kërkojnë edhe Shtetet e Bashkuara dhe NATO

Gazeta Express: A është kusht i BE-se dhe shteteve anëtare që themelimi i Asociacionit të jetë pikënisja për zbatimin e Marrëveshjes Bazike?

Olivier Guérot: BE-ja dhe shtetet e saj anëtare, përfshirë Francën, presin që Kosova dhe Serbia të vendosin një proces për hartimin e statutit të Asociacionit, siç parashikohet në marrëveshje. Sigurisht që ka edhe angazhime që Serbia do të duhet t’i përmbushë. Normalizimi është në interes të të dy vendeve, veçanërisht të Kosovës dhe të popullit të saj. Zbatimi i marrëveshjeve do të bëjë të mundur edhe thjeshtimin e jetës së përditshme: transportet, studimet, tregtinë etj.

Gazeta Express: Kryeministri Kurti e tha publikisht që çështjen e sekuencimit e sheh “quid pro quo” ku diçka jep Kosova e diçka Serbia, ndërkohë që ka akuza nga pala kosovare se Lajçak ka bërë një draft të njëanshëm për zbatimin e marrëveshje. Dakordimi se kush çfarë duhet të bëjë duket që është çështja kryesore tash nëse këto nuk janë lojëra për zvarritje?

Olivier Guérot: EUSR Lajçak ua paraqiti të dyja palëve propozimin për sekuencim. Kjo sjell detyrime për të dyja palët. Tani ato duhet të bien dakord.

Gazeta Express: Cili është qëndrimi i Presidentit Emmanuel Macron për draftin e Asociacionit që kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ia ka dërguar?

Olivier Guérot: Mbi të gjitha, do të ishte e dëshirueshme që qeveria e Kosovës të prezantojë draft statutin e saj. Projektet e tjera që janë prezantuar mund t’i ushqejnë reflektimet, sikurse është rasti edhe me modelet ekzistuese brenda Bashkimit evropian.

Gazeta Express: Si e keni parë idenë e Kryeministrit Edi Rama për organizimin e një takimi të nivelit të larte ku palët s’do te lejoheshin te dilnin pa marrëveshje. A mendoni se mund te sjell sukses nje organizim i tille dhe a do të ndodhë?

Olivier Guérot: Në këtë fazë, një takim i ri i nivelit të lartë ndërmjet BE-së, Kosovës dhe Serbisë duhet të organizohet në fillim të vitit shkollor, por i takon lehtësuesit evropian, z. Lajçak, të vlerësojë ritmin e duhur të bisedimeve. Ne kemi besim të plotë tek ai.

Gazeta Express: Dhe pyetja e fundit, në Bruksel njoftuan se tash janë në pushim duke lënë të kuptohet se s’do të ketë zhvillime rreth dialogut. A “guxojnë” ambasadorët të pushojnë në këtë kohë krize mes Kosovës dhe Serbisë?

Olivier Guérot: Do të marr disa ditë pushim këtu për të shijuar këtë vend shumë të bukur që është Kosova. Më pas do të jem diku tjetër, por i gatshëm të kthehem nëse është e nevojshme, siç është rasti për të gjithë ambasadorët francezë në të gjitha vendet e botës.