Agjencia për Informim dhe Privatësi ka gjobitur me 20 mijë euro Autoritetin e Konkurrencës, pasi ka konstatuar shkelje të rënda të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Vendimi i datës 21 gusht 2025, që e ka siguruar Infosot erdhi pas shqyrtimit të një ankese të paraqitur nga një qytetare, e cila ishte ankuar se pretendonte se ishte nën monitorim të paligjshëm nga ky institucion përmes kamerave të sigurisë.
Sipas ankesës, të gjitha lëvizjet e saj në objekt përcilleshin dhe raportoheshin nga një zyrtar i IT-së tek drejtori i Autoritetit, ndonëse ai nuk kishte autorizim për mbikëqyrjen e sistemit të vëzhgimit. Ajo gjithashtu shprehu dyshime se kamerat kryenin edhe regjistrim të zërit, ndërsa pamje të siguruara nga ky sistem kishin përfunduar në media, megjithëse ankuesja nuk kishte lidhje me rastin për të cilin u raportua.

Hetimi i Agjencisë konstatoi se Autoriteti i Konkurrencës kishte dorëzuar në polici pamje të plota të një dite të tërë nga kamerat e sigurisë, pa ndërmarrë masat e nevojshme për të kufizuar ose anonimizuar pjesët që nuk kishin lidhje me hetimin. Sipas Agjencisë, ky veprim përbën tejkalim të qëllimit fillestar të përpunimit të të dhënave dhe bie ndesh me parimin e minimizimit, që kërkon përdorimin e vetëm atyre të dhënave që janë të domosdoshme për rastin.
Agjencia theksoi se imazhet e fytyrës përbëjnë të dhëna personale dhe përpunimi i tyre duhet të bëhet gjithmonë mbi baza të qarta ligjore. Në këtë rast, Autoriteti i Konkurrencës nuk kishte respektuar kriteret ligjore për përpunimin dhe shpërndarjen e tyre. Për këtë arsye, përveç gjobës prej 20 mijë euro, institucionit i është lënë detyrë që brenda 30 ditësh të ndërmarrë masa për të harmonizuar përpunimin e të dhënave me ligjin dhe të raportojë tek Agjencia për zbatimin e vendimit.
Ky vendim i Agjencisë për Informim dhe Privatësi është ekzekutiv dhe, në rast moszbatimi, mund të përmbarohet përmes procedurave të detyrueshme.
Vendim-Nr.-203-Gjobe-ndaj-Autoritetit-te-Konkurrences (Dokument)


















