Ish-Nënkryetari i PDK’së, Adem Grabovci duhet të shkojë më 14 shtator në Prokurorinë e Shtetit për t’u intervistuar nga Drita Hajdari Elez Blakaj dhe Lulzim Sylejmani . Avokati i Grabovcit, Florent Latifaj ka thënë se do të bëjnë kërkesë për t’u shtyrë intervistimi pasi atë ditë është i zënë me lëndë të tjera. Ka treguar se ende s’e ka bërë kërkesën, shkruan Gazeta Express.
Prokurorët special, Drita Hajdari dhe prokurori Elez Blakaj, së bashku me prokurorin e Shtetit, Lulzim Sylejmani do ta intervistojnë të mërkurën Adem Grabovcin si të dyshuar në aferën “Pronto”.
Kjo treshe e Prokurorëve i ka dërguar ftesën Grabovcit që të shkojë në Prokurori më 14 shtator të këtij viti për t’u rrëfyer për përgjimet që e ndërlidhin atë me ushtrim të ndikimit më rastin e punësimit të militantëve të PDK’së nëpër pozita publike.
Avokati i Adem Grabovcit, Florent Latifaj ka thënë për Gazetën Express se e kanë marrë ftesën por se do të bëjnë kërkesë për të shtyrë intervistimin pasi në atë ditë është i zënë me raste të tjera të mbrojtjes.
“Ftesën e kemi marrë por do të bëj kërkesë për të shtyrë intervisitimi. Atë ditë jam i zënë”, ka thënë Latifaj, për Gazetën Express, të dielën.
Insajderi kishte publikuar i pari përgjimet e Grabovcit, duke treguar se si ky zyrtar i PDK’së kishte punësuar njerëz të vetë në Policinë e Kosovës, zgjedh prokurorë e gjyqtarë. Mes tyre, Sali Mekajn e bën kryetar të Gjykatës së Apelit, Sylë Hoxhën e bën kryeprokuror të Prizrenit. Kërkesa të shumta për ta takuar Grabovcin bën Haxhi Dërguti, atë kohë prokuror në Prokurorinë e Qarkut të Prishtinës. Aktualisht, Dërguti është kryeprokuror i Prokurorisë së Apelit.