Një ekip i ekspertëve të Kombeve të Bashkuara raportoi të hënën se “ka arsye të forta” për të besuar se ka pasur dhunë seksuale, përfshirë përudhim dhe përdhunim në grup, në disa lokacione në Izrael gjatë sulmit të 7 tetorit nga militantët e Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Ky ekip – i udhëhequr nga e dërguara e OKB-së për dhunën seksuale në konflikt, Pramila Patten – e vizitoi Izraelin nga 29 janari deri më 14 shkurt për të grumbulluar, analizuar dhe verifikuar të dhënat për dhunën seksuale të lidhur me sulmin e 7 tetorit.
“Janë mbledhur gjithashtu edhe të dhëna të hollësishme dhe të besueshme, të cilat mund të jenë tregues i disa formave të dhunës seksuale, përfshirë gjymtimin gjenital, torturën e seksualizuar, apo trajtimin mizor, çnjerëzor dhe përçmues”, thuhet në raportin e OKB-së.
Grupi radikal palestinez, Hamas, i ka mohuar vazhdimisht akuzat për dhunë seksuale.
Pjesëtarët e Hamasit e sulmuan Izraelin më 7 tetor 2023, ku i vranë 1.200 njerëz dhe i rrëmbyen 253 të tjerë, sipas autoriteteve izraelite.
Lufta hakmarrëse e Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës prej atëherë i ka vrarë rreth 30.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavën e udhëhequr nga Hamasi.
“Ekipi i misionit gjeti informata bindëse dhe të qarta se disa pengje që u dërguan në Gazë, ishin subjekt i formave të ndryshme të dhunës seksuale të ndërlidhur me konfliktin dhe ka arsye të forta për të besuar se një dhunë e tillë ka mundur të jetë e vazhdueshme”, thuhet në raport.
Ky ekip tha se mund të nevojitet një hetim i plotë për ta vërtetuar madhësinë e përgjithshme, fushëveprimin dhe atributin specifik të dhunës seksuale.
Ekipi i OKB-së tha se ka marrë të dhëna edhe nga burimet institucionale dhe të shoqërisë civile, si dhe nga intervistat e drejtpërdrejta për “dhunën seksuale kundër grave dhe burrave palestinezë në qendrat e ndalimit, gjatë bastisjeve nëpër shtëpi dhe në pika të kontrollit”, pas 7 tetorit. Qendrat e paraburgimit ishin në Izrael.
Izraeli e ka kritikuar OKB-së për mënyrën se si ka reaguar ndaj sulmit të 7 tetorit.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha vitin e kaluar se dhuna seksuale e kryer më 7 tetor “duhet patjetër të hetohet dhe të përndiqet”, duke shtuar se “dhuna në baza gjinore duhet të dënohet. Në çdo kohe. Në çdo vend”./REL