Të jesh grua është bukur sigurisht, por jo aq bukur në një shoqëri me origjinë patriarkale, ku femra shihet gjithmonë si një objekt gjykimi, e gjykojnë gjatë gjithë kohës…
Madje po qe në lidhje me dikë një femër dhe ndahet, prapë ajo mbetet fajtore, mandej divorcohet, prapë femra mbetet fajtore, pastaj e vrasin dhe prap ajo mbetet fajtore (‘sillej kështu, sillej kështu’,fillojnë me intervista nëpër familjarë,shoqëri,komshi etj). Të jesh grua në Kosovë, ndodh ta kenë edhe më të lehtë që të largojnë nga puna, pse?. Sepse një femër nuk e ka fuqinë fizike të një mashkulli.
Çdo grua ka të drejta të barabarta me një mashkull, por a ka barazi gjinore vallë?. Çdo grua kërkon të jetë e lirë, por a ka vallë liri kjo grua në Kosovë?.
Fjala »Femër« realisht është gur i rëndë, është me peshë të madhe, është civilizim, është jetë.
Zëri femëror më thërret:Kërko lirinë tënde grua, kërko imazhin që ti dëshiron, kërko atë që ti e di se mundesh, kërko atë që ti ëndrron.
E pse të mbesin vetëm ëndrra tek e fundit? Të prekësh ëndrren është sakrificë, sakrificë kjo goxha e madhe, ngase ende femrën e shohin si pronë të burrit pothuajse në çdo aspekt.
Shpresoj që dikur të respektohet zëri, dëshirat, të drejtat dhe ëndrrat e grave shqiptare. Shpresoj që e ardhmja e Kosovës të jetë në dorën e vajzave dhe grave, se deri më tash burrat e “ndritën”…