Dy persona të armatosur vranë sot të paktën nëntë vetë, përfshirë tre policë gjatë një sulmi në një kishë koptike në jug të Kajros.
Sipas burimeve të sigurisë, ata hapën zjarr në hyrje të kishës Mar Mina në lagjen Helwan, e cila ishte nën mbikqyrjen e policisë në prag të festimeve për Krishtlindjet Ortodokse që mbahen në 7 janar.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve MENA një nga personat e armatosur u qëllua për vdekje nga forcat e sigurisë ndërsa televizioni shtetëror njoftoi se personi i dytë u arrestua.
Gjatë viteve të fundit militantët islamikë kanë marrë përgjegjsinë për disa sulme ndaj minoritetit të madh të krishterë në Egjipt, përfshirë dy sulme me bombë në muajin prill si dhe një shpërthim në katedralen më të madhe koptike të Kajros dhjetorin e kaluar ku u vranë 28 vetë.
Përpara kremtimeve me rastin e Krishtlindjeve ortodokse policia ka rritur masat e sigurisë rreth kishave.