Edon Zhegrova po vazhdon ta mahnit botën e futbollit me aftësitë e tij të jashtëzakonshme.
Ylli kosovar është bërë njëri prej futbollistëve më të mirë në ekipin e tij, Lille, por edhe në kampionatin francez të futbollit.
Numrat e tij flasin vetë dhe ata e kanë ngritur në piedestalin më të lartë të futbollit evropian.
Prishtinasi njihet për aftësitë e tij të jashtëzakonshme një kundër një, të cilat ia kanë mundësuar të bëhet njëri prej më të mirëve në Evropë.
Në fakt, 25 vjeçari e sheh veten në vendin e tretë në listën e lojtarëve me numrin më të madh të driblimeve të suksesshme në sezonin 2024/25 në pesë ligat më të forta evropiane.
Përfaqësuesi kosovar i ka bërë 68 driblime nga 145 tentime, që i bie 47 për qind të suksesshme, sipas faqes “PopFoot”.
Ai gjendet vetëm prapa yjeve si Lamine Yamal dhe Rafael Leao.
Zhegrova është duke e kaluar një sezon fantastik me Lillen.
Ai i ka realizuar katër gola në Ligën e Kampionëve, prej tyre tri në fazën e kualifikimeve dhe një në fazën e ligës.
Gjithashtu, i ka shënuar edhe katër gola në Ligue 1 në këtë edicion.
“Messi i Kosovës” i ka bërë edhe dy asistime në 21 ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat.
Nëse vazhdon me formë të tillë, futbollisti anësor mund të transferohet në një klub më të madh evropian gjatë verës së ardhshme.