Ish-kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri në emisionin “FAKTE me Adnan MEROVCIN” ka folur për dekadën para çlirimit të Kosovës, kryesisht rreth çështjeve dhe figurave politike të asaj kohe.
Tahiri teksa fliste për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe anëtarët e saj adresoi disa pakënaqësi. Njëra ndër to, siç u shpreh vetë ajo është “lënja në hije” e liderëve të Kryesisë së LDK-së të asaj periudhe dhe koncentrimi i meritave te ish-presidenti Ibrahim Rugova, njëherit edhe kryetari i LDK-së.
Tahiri beson se të gjithë pjesëtarët e kësaj Lëvizje gjithëpërfshirëse kanë meritat e veta, për të cilët tha se një ditë do të shkruhet historia edhe për ta.
“Procesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk ka qenë i lehtë, sepse ka qenë Lëvizje gjithëpopullore e gjithëpërfshirëse. Ne vetë Lidhjen Demokratike të Kosovës pakashumë e kemi koncentruar të gjithë meritën te z. Rugova, kjo është e mirë, sepse lideri i ka meritat e veçanta, por ne që kemi qenë liderët e Lëvizjes si pjesë e Kryesisë së LDK-së apo të Qeverisë jemi lënë në hije. Pra, kryesisht kur flitet për LDK-në, flitet për Rugovën, por unë besoj se historia do të flas edhe për neve”, u shpreh Tahiri.