Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është pajtuar me idenë se barrikadat e vendosura në veri të Kosovës duhet të hiqen urgjentisht.
Kështu ka thënë ai derisa ka shpërndarë deklaratën e ambasadave amerikane në Prishtinë e Beograd, për situatën në veri të Kosovës, në rrjetin e tij social, në Twitter.
“Nuk mund të pajtohem më shumë. Kjo flet qartë për të gjithë ata që duan të dëgjojnë”, ka shkruar Rama.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për situatën aktuale në veri të Kosovës.
Në një deklaratë të përbashkët të ambasadave të SHBA-ve në Kosovë dhe Serbi, thuhet se “ata që ngritën postblloqe të paligjshme duhet t’i çmontojnë ato menjëherë”.
“E kuptojmë se autoritetet kosovare kanë arrestuar një individ të dyshuar për përfshirje në një sulm të dhunshëm ndaj autoriteteve kosovare të zbatimit të ligjit dhe komisionit zgjedhor. Ky arrestim po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve si dhe kërcënime dhe frikësime ndaj autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale”, thuhet në deklaratë.
Po ashtu në këtë deklaratë theksohet se SHBa-të presin që t’i jepet fund të gjitha kërcënimeve të dhunës dhe frikësimit.
“Ne shprehim vlerësimin dhe mbështetjen tonë të plotë për Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR) për përpjekjet e saj për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes dhe për Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). Dënojmë fuqishëm si të papranueshme të gjitha sulmet ndaj agjencive të sigurisë kosovare dhe ndërkombëtare”, thuhet më tutje në deklaratë.
SHBA-të kanë bërë thirrje që të ushtrohet përmbajtje maksimale, të merren masa të menjëhershme për të arritur një de-përshkallëzimin e situatës dhe të përmbahen nga aktet provokuese.
Can’t agree more🙏
Loud and clear to all who want to hear👍 pic.twitter.com/hKQVAVTAZW— Edi Rama (@ediramaal) December 11, 2022
“Ne i nxisim palët të punojnë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet shqetësuese”.