Edi Rama me rrëfim ekskluziv: si i disenjova fanellat e Kombëtares! (VIDEO)

E publikuar: 21/06/2016 21:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kur fanellat e kombëtares së Shqipërisë për Kampionatin Europian u bënë publike, ato morën lëvdata të shumta për mënyrën e estetizimit të shqiponjës dykrenare.

Pas fitores historike ndaj Rumaninë, në ngazëllimin dhe entuziazmin e përgjithshëm kolektiv, u bë i ditur një fakt i jashtëzakonshëm.

Ideja për këtë imazh ishte dhënë nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Në një selfie–intervistë për Klan Kosovën, Kryeministri Rama për herë të parë shpjegon rrethanat që sollën tek ideja e stilizimit të shqiponjës, por edhe për efektin e përgjithshëm pozitiv shoqëror, pasi “shqiptaria në tërësi është ngjitur një shkallë më lart në qytetari falë këtij momenti magjik që nuk do të fashitet pa lënë gjurmë në shpirtin tonë të bashkësisë”. 

Klan Kosova: Ideja për motivin e fanellave të kombëtares a ishte rezultat i një përpjekjeje më të gjatë në kohë, apo shpërthim momental inspirimi?

Edi Rama: Unë e kam pasur privilegjin e madh ta vesh fanellën e Kombëtares dhe ia njoh peshën që ka mbi lëkurë bluza kuqezi, e cila me siguri, rëndohet ende më shumë sa më lart ngjitesh në të përpjetën e kompeticioneve ndërkombëtare!

Jam i bindur se po të mos e kisha kaluar atë eksperiencë të pazakonshme të fanellës kuqezi nuk do ta kuptoja dot, siç e kuptoj, presionin e patregueshëm që kanë pasur në mendje e në trup çunat e kësaj Kombëtareje; që nga fitorja me Portugalinë, kur u krijua ideja se mund të shkonin larg.

Kjo më ka lidhur më shumë me ta dhe me De Biazin, sidomos në momentet më të vështira (pas ndeshjes në Elbasan me Serbinë), dhe me Presidentin po ashtu, me të cilin kemi krijuar një partneritet shumë të dobishëm në interes të futbollit dhe posaçërisht të Kombëtares.

Idenë e shqiponjës në fanellë e kam pasur në fakt prej disa kohësh, kur i shikoja me vëmendje e nganjëherë me zili uniformat e skuadrave të tjera. Por m’u dha rasti ta ndaj këtë ide me Armando Dukën gjatë përgatitjeve të para për në Francë.

Ia shpjegova dhe vizatova kur po pinim një kafe.

I pëlqeu dhe e mori t’ia jepte studios së dizajnit që punoi për uniformat.

Ndërsa vizatimi që ka dalë nga arkiva e iPhone-it të tij është një skicë e mëvonshme. Të cilën më kujtohet e kam bërë në makinë, kur më çoi me WhatsApp variantin e përpunuar nga studioja mbi skicën e parë të shqiponjës.

Me atë skicë e me disa rreshta të shkruar, i saktësova pozicionin e dy kokave të stilizuara mbi vijën horizontale të trupit, në mënyrë që numri në gjoks të zinte vend tamam; si edhe nevojën që vijat të vinin duke u rralluar drejt fundit të bluzës.

Funksionoi shumë mirë!

Studioja bëri një punë të lavdërueshme për tërësinë e uniformës.

Klan Kosova: Në të kaluarën ju keni folur për domosdoshmërinë e “Krijimit të një shije të re tek shqiptarët”.  A është motivi i fanellës – ashtu siç ishin dikur ngjyrat e shumëllojta në ndërtesat e Tiranës – pjesë e projektit tuaj artistik për ta ridefinuar shijen e shqiptarëve?

Edi Rama: Shqiponja është një element shumë identifikues për ne, dihet kjo! Por, vizualisht, shqiponja e flamurit tonë është e jashtëzakonshme, ka një trajtë grafike spektakolare dhe thuajse të pamundur për riinterpretime të suksesshme.

Mund të biesh menjëherë në vulgaritet estetik nëse e transferon në një trajtë tjetër!

Shikoni, për shembull, se çfarë tmerri estetik është ajo shëmbëlltyra e shqiponjës së flamurit, e vendosur tek hyrja e Tiranës. S’ka asgjë nga pesha dhe finesa e origjinalit në fushën e kuqe të flamurit, zero! Përkundrazi, është një alterim vrastar për sytë, një siluetë agresive në boshllëk.

Por, duhet thënë se ka edhe një aspekt tjetër lidhur me shqiponjën tonë; të huajt që dinë diçka për Shqipërinë, e përdorin herë pas here epitetin “Vendi i Shqiponjave” dhe mua më pëlqente shumë ideja që përmes fanellës së Kombëtares të përhapej sa më shumë ky term identifikues në sytë e audiencës gjigante të Europianit.

Nuk e fsheh që më bëhet shumë qejfi kur lexoj në artikujt e këtyre ditëve historike për skuadrën dhe për imazhin e vendit tonë të flitet për shqiponjat e Shqipërisë dhe kjo vjen edhe nga impakti vizual i fanellës.