Vlora dhe në vecanti stadiumi Flamurtari kanë patur një vizitor të pazakontë. Impianti tek i cili po punohet për shtrimin e fushës së blertë është vizituar sot nga kryeministri i vendit Edi Rama, që në faqen zyrtare të klubit në facebook është prezantuar nga administratori klubit Sinan Idrizi si përforcimi radhës. Kryeministri ka përfituar nga prania e tij në qytetin bregdetar për të parë nga afër punën në stadiumin Flamurtari, aty ku është duke u shtruar tapeti i gjelbër. Gjithashtu zoti Rama ka përfituar për të parë punimet e nisura edhe për ndryshimin e fushës pas stadiumit, që do të shërbejë për stërvitjen e skuadrës. Me këtë vizitë puna e bërë në impiantin e kuqezinjve mer më shumë vlera, duke qënë se vetë kryeministri është i angazhuar personalisht edhe për rindërtimin e stadiumit Loro Borici në Shkodër. Burime pranë klubit Flamurtari bëjnë me dije se numri një i qeverisë është interesuar edhe për projektin që kanë drejtuesit e klubit vlonjat për stadiumin e ri që pritet të ndërtohet në pyllin e Sodës. Flamurtari do të luajë ndeshjen e parë të kampionatit ndaj Teutës jashtë stadiumit të vet teksa inagurimi i fushës pritet të bëhet në javën e 3 në sfidën ndaj Lacit.