Edhe Washingtoni konfirmon se Thaçi s’pati fare koordinim me SHBA’në për Specialen

E publikuar: 30/12/2017 12:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Hashim Thaçi ka ndërmarrë veprime për të shfuqizuar Gjykatën Speciale pa u koordinuar me asnjë zyrtar të Amerikës. Kjo u vërtetua pas reagimit të Departamentit të Shtetit, ku u kërkohet liderëve të Kosovës të mos guxojnë të prekin Gjykatën Speciale.
Jo çdoherë kur kanë folur ambasadorët e SHBA’së në Prishtinë ka folur Amerika. Kjo është vërtetuar më së miri kur fliste ish-Ambasadori Chritopher Dell.

Por, ndryshe po ndodh me deklaratat e Ambasadorit aktuale, Greg Delawie, i cili kishte reaguar kur kishte nisur iniciativa e Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Ramush Haradinajt për ta zhbërë Specialen.

Departamenti i Shtetit ka lëshuar një reagim duke u kërkuar liderëve të Kosovës të mos guxojnë të shfuqizojnë Specialen pasi rrezikojnë Shtetin e Kosovës.

Në këtë mënyrë kanë rënë të gjitha mundësitë që Thaçi të këtë pasur ndonjë konsultim me zyrtarët e SHBA’së në Washington për Gjykatën Speciale.

Sidoqoftë, një nismë e deputetëve të PDK’së, AAK’së e NISMA’së ka dështuar për të shfuqizuar Gjykatën që do të merret me zbardhjen e krimeve që kanë ndodhur gjatë viteve 1998-2000. Kjo gjykatë do të merret me zbardhjen e pretendimeve të senatorit Zviceran, Dick Marty, i cili i implikonte udhëheqësit e UÇK’së në krime kundër njerëzimit, krim të organizuar e krime politike.

Këto veprime janë ndërmarrë kur është përmendur mundësia e nisjes së punës së Speciales dhe ngritjes së aktakuzave të para.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Ramush Haradinajn kanë thënë se nëse deputetët shfuqizojnë Specialen atëherë do të respektojnë të njëjtin vendim.

Asnjëri prej tyre s’ka dalë kundër këtij veprimi.

Ndërkohë, LDK ka kundërshtuar një veprim të tillë duke thënë se po rrezikohet Kosova t’i rifuqizohet Rezoluta 1244, e cila parasheh kompetenca shtesë për ndërkombëtarët në Kosovë./express/