Edhe Visar Ymeri kërkon rrënimin e Kishës serbe në qendër të Prishtinës

E publikuar: 17/09/2016 22:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas Shpend Ahmetit, që kërkoi rrënimin e Kishës serbe, përmes një statusi në Facebook, ka reaguar edhe lideri i Vetëvendosjes, Visar Ymeri. Edhe ky po sikurse Ahmeti ka thënë se kjo kishë duhet të rrënohet. Reagimi i Ahmetit e Ymerit ka ardhur pasi orë më parë presidenti Thaçi tha se kisha nuk bënë të preket nga askush.

Mos të harrojmë se lejen për ndërtimin e kësaj kishe e ka dhënë baba i zëdhënësit te Vetëvendosjes, Erzen Vraniqit, Hamdiu.

Ky është reagimi i plotë i Ymerit:

Objekti kishtar i ndërtuar në hapësirën universitare në Prishtinë, dhe i inauguruar në janar të vitit 1999 është simbol i regjimit okupator, fashist e gjenocidal të Millosheviqit dhe shtetit të Serbisë.

Ky objekt nuk mund të ndahet nga ajo çfarë ai përfaqëson, nga ajo që është synuar të përfaqësojë – hegjemoninë dhe gjithëpushtetshmërinë e Serbisë dhe kriminelëve të Millosheviqit në Kosovë të vendosur kundër vatrës së rezistencës dhe luftës për çlirim kombëtar të shqiptarëve që simbolizohej me Universitetin.

Pra, i ashtuquajturi President, i votuar nën masa të dhunshme, Hashim Thaçi, tash drejtpërdrejt po i del në mbrojtje pikërisht këtij narracioni të Millosheviqit (aq më tepër kur, përkundër të vërtetës, e arsyeton sulmin e tij ndaj studentëve protestues me narracionin e rremë të regjimit të Serbisë).

A të çuditemi? Do të çuditesha po të vepronte ndryshe. Njeriu që e pranon se në Kosovë gjatë luftës shqiptarët kanë ushtruar terror, natyrisht se insiston që simboli i hegjemonisë së Serbisë të mos preket. Problemi është se ky njeri e ka zaptuar postin e Presidentit të Republikës.

Kryetari i Prishtinës i ka reaguar ashpër Presidentit Thaçi, kur ky i fundit doli me një status në mbrojtje të Kishës ortodokse në Prishtinë.

Kurse, Presidenti Hashim Thaçi në reagimin e tij ka thënë se Kisha në oborrin e UP’së nuk guxon të preket.