As më shumë e as më pak. Sikur çdo kosovarë që aplikon për t`u pajisur me vizë në njërën nga vendet e zonës Shengen apo të ndonjë vendi tjetër, njësoi janë procedurat edhe për shtetasit e botës që dëshirojnë të pajisen me viza të Kosovës.
Autoritetet e Republikës së Kosovës nga janari 2015 deri në muajin maj, kanë lëshuar 285 viza për shtetasit e huaj, që dëshirojnë të vizitojnë Kosovën, ndërsa 78 personave që kanë kërkuar viza, u është refuzuar ardhja në shtetin më të ri të Ballkanit.
Sipas statistikave të Ministrisë së Punëve të Jashtme që i ka siguruar TV Dukagjini, Stambolli mbetet Konsullata që më së shumti ka lëshuar viza për shtetasit e huaj, meqë ajo mbulon Azinë dhe Afrikën, ku Kosova aplikon regjim të vizave ndaj shumicës së shteteve të këtyre kontinenteve.
Tv Dukagjini ka mësuar se deri më tani kërkesat më të mëdha kanë ardhur prej vendeve të Lindjes së Mesme, me fokus Afganistani, Libia e Siria, ndërsa shpesh ndodh t’iu bëhet edhe refuzimi i vizave.
Në aplikimin e vizave përfshihen: dëshmia për qëllimin e qëndrimit në Republikën e Kosovës, rezervimi i itinerarit të udhëtimit, mjetet financiare të mjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve të qëndrimit, sigurimin shëndetësor me mbulesë minimale prej 30 mijë eurosh dhe raportin e xhirollogarisë bankare për gjashtë muajt e fundit.
Vizat kryesisht refuzohen shkaku i qëllimit të vizitave të shtetasve të huaj apo edhe për shkak të gabimeve në plotësimin e dokumentacionit.
Arsyet për të cilat deri tani më së shumti janë dhënë viza për shtetasit e huaj janë turistike, vizita zyrtare dhe vizita të thjeshta miqësie kanë treguar zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.
Sipas këtyre zyrtarëve, legjislacioni dhe procedurat janë në harmoni me kodin Schengen, ndërsa plotësimi i kushteve për vizë ndikon automatikisht në procedimin e vizës apo refuzimin e saj.
Bazuar në statistikat që ka siguruar Tv Dukagjini shihet se në pjesën e parë të këtij viti ka pasur një rënie të kërkesave, krahasuar me vitin 2014.
Në vitin e kaluar, 1125 shtetas të huaj janë pajisur me viza kosovare, derisa 174 personave iu kishte refuzuar viza. Derisa, në vitin 2013 ishin vetëm 341 persona që ishin pajisur me viza kosovare.
Ndryshe, Kosova është vendi i vetëm në mesin e 50 milionë qytetarëve në regjionin e Ballkanit Perëndimor ndaj të cilit Bashkimi Evropian aplikon regjimin e vizave.
Republika e Kosovës nga 1 korriku 2013 ka aplikuar regjimin e vizave për tetëdhjeteshtatë (87) shtete të ndryshme të botës. /Telegrafi/