Në pikën kufitare në Vërmicë maunat me mallra nuk po lejohen të hyjnë në Kosovë pa iu nënshtruar procedurave të dezinfektimit, kostoja e të cilës është 22 euro. Këtë masë po e kundërshtojnë drejtuesit e mjeteve dhe pronarët e bizneseve.
Pronari i “Besimi Comerc”, Besim Gashi thotë se për këtë lloj pagese për dezinfektim të kamionëve janë njoftuar sot në mëngjes.
Sipas tij, shuma prej 22 euro për dezinfektimin e një kamioni është e papërballueshme për kompaninë e tij prandaj nuk do e bëjë këtë pagesë.
Gashi hedh dyshimet edhe tek kjo kompani e cila po e kryen dezinfektimin pasi thotë se ata nuk po lëshojnë as kuponë fiskalë por vetëm një lloj paragoni.
“Pasi e morëm një lajm që ka dal në mëngjes një dezinfektim i ashtuquajtur prej 22 euro e gjysmë për firmën tonë është e papranueshme dhe jo vetëm për firmën tonë por për të gjithë transportuesit dhe të gjithë firmat tjera është e papërballueshme… Prejardhja e kësaj se si ka ardhur nuk po e dimë hala nuk jemi të konfirmuar prej cilës ministri a qeveri… më herët nuk jemi njoftuar nuk kemi absolut kurrfarë vendimi… i japin do paragona pa numër rendor”, tha ai.
Drejtuesi i një kamioni, Tasin Uruqi i cili po e shfrytëzon kufirin e Kosovës vetëm si transit drejt Maqedonisë, thotë se pa paralajmërim ka nisur aplikimi i një tarife të tillë karshi tyre.
“Pa lajmëruar fare kanë ardhur dy firma ku di u ngatërruan në mes veti njëri kërkonte 22 euro tjetri 10 euro për të dezinfektuar kamionin, me la kamionin me një pompë që spërkat domate… 22 euro këtu plus 27 që na kanë thënë shokët ne jemi për Maqedoni në transit për Kosovë… na bie 49 euro për hyrje andej e këndej… pa paralajmërim fare nuk di as si ta shpjegoj”, theksoi ai.
Edhe Elmi Prestreshi shprehët i pakënaqur me vendosjen e kësaj mase për dezinfektimin e maunave në pikën kufitare në Vërmicë. Ai madje këtë e vlerëson si plaçkë ndaj bizneseve.
“Kanë dal në plaçkë 22 euro për t’i dezinfektuar kamionët. Ka qenë pandemia që tre muaj nuk i kemi dezinfektuar e sot kanë dalë në rrugë për t’i dezinfektuar 22 euro, nuk kemi ditur fare në 12 të natës thanë ka treguar qeveria”, tha ai.
KosovaPress tentoi te merrte një reagim edhe nga punonjësit që po kryenin shërbimin e dezinfektimit, por të njëjtit nuk pranuan të flasin.
Nga Dogana e Kosovës dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thanë se nuk janë përgjegjës për aplikimin e kësaj mase, ndërsa është sugjeruar të kontaktohet Ministria e Shëndetësisë. Mirëpo, marrja e një sqarimi nga ky dikaster ka qenë i pamundur paraditen e së hënës.
Kujtojmë që sot më 1 qershor Kosova i ka hapur kufijtë tokësorë të cilit ishin mbyllur më 13 mars si masë parandaluese ndaj COVID-19.