Edhe policët maqedonas dyshojnë se aksioni i Kumanovës ishte i inskenuar

E publikuar: 26/09/2015 17:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Edhe policët maqedonas nga njësitet special të cilët ishin pjesë e aksionit të 9 dhe 10 majit në Kumanovë janë të bindur se bëhet fjalë për një skenar.

Ata kërkojnë llogari për kolegët e tyre të vrarë, andaj përmes një letre publike që në formë anonime u kanë nisur mediave në Maqedoni, kërkojnë nga prokurorja speciale, Katica Janeva, që rast të parë hetimi ta ketë Kumanovën, njofton korrespodenti i “Kohës Ditore” nga Shkupi.

“Prokurore, jemi dëshmitarë të një realiteti të dhimbshëm dhe të paskrupullt, ku ky pushtet i pangopur, dyfytyrësh, i rrejshëm dhe jo popullor na ka krijuar këtë të tanishme të dhimbshme. Pushtet i cili i lejoi vetes luksin që të na sakrifikoj edhe ne, policët, bijtë maqedonas. Në emër të bashkëpunimit të mëtutjeshëm si dorë e shtrirë ndaj jush , me dinjitet dhe guxim ju lusim, rastin ‘Lagja e Trimave’ ta hapni si rast i parë, e duam dhe e meritojmë të vërtetën. 8 vëllezërit tanë bashkëluftëtar, ende nuk po prehen në paqe. Na jepni urdhër dhe do tua sjellim edhe djallin nga ferri me pranga në duar dhe do ta përkulim para Jush!”, thuhet në letrën e policëve.

Një ditë më parë, e përjavshmja maqedonase Fokus doli me një shkrim në të cilin paralajmëroi se pjesëtarët e grupit të arrestuar në Kumanovë, po përgatisin publikimin e të vërtetës para gjyqit. Në shkrim thuhet se liderët e grupit të armatosur do të shpalosin edhe ngjarjet para dhe gjatë ditëve të aksionit.

“Nga ana tjetër, mos prononcimi i tyre ka ardhur edhe nga përpjekja që ata të përgatisin versionin e tyre për ngjarjen, me qëllim që në Gjykatë të bëjnë rikonstruimin e ditëve para aksionit, gjatë aksionit, por edhe të përmendin personat përgjegjës që i kanë mashtruar të marrin pjesë në këtë skenar nëse një i tillë ekziston”, shkruan FOKUS.

Ndryshe, në aksionin policor të 9 dhe 19 majit në Kumanovë u vranë 8 policë dhe 10 anëtarë të grupit të armatosur. Ndërkaq rreth 30 polic u plagosën dhe u arrestuan 33 pjesëtarë të grupit, shumica dërmuese nga Kumanova.