Më shumë se 10 ditë pas afatit të përcaktuar me ligj, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka emëruar anëtarët e rinj të Komisionit Qendror Zgjedhor.
Anëtarët e KQZ-së është dashur t’i marrin mandatet e tyre brenda 60 ditësh, që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, raporton KTV.
Deklaratën e betimit e lexoi presidenti Thaçi.
Pjesë e ceremonisë së emërimit të anëtarëve ishte edhe kryetarja e KQZ-së.
Ndryshe, gjashtë nga dhjetë anëtarët e rinj do të jenë për herë të parë pjesë e KQZ-së.
Sami Kurteshi e Alim Rama nga Vetëvendosje, Arianti Elshani nga PDK, Ibrahim Selmanaj nga AAK, Rifat Krasniqi nga Partia Turke e Kosovës dhe Artan Asllani nga Partia e Ashkalinjve për Integrim, janë anëtarët që për herë të parë do t’i përfaqësojnë partitë e tyre në Komisionin Zgjedhor.
Lista Serbe në KQZ do të përfaqësohet nga ish-ministri i Bujqësisë, Nenad Rikallo, LDK-ja nga Sami Hamiti, Eshtref Vishi nga koalicioni Nisma-AKR-PD, kurse koalicioni VAKAT do ta ketë anëtar Cemajli Kurtisin.
E një ditë pas emërimit, anëtarët e rinj do të mbajnë mbledhjen e parë. Të premten, Komisioni Qendror Zgjedhor pritet ta bëjë zëvendësimin e deputetëve të cilët janë bërë ministra.

















