Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka hapur tubimin e saj masiv në Obiliq me një minutë heshtje në nderim të tre të rinjve që humbën jetën në tragjedinë e ndodhur në Jabllanicë të Gjakovës.
“Dje ndodhi një ngjarje tragjike në Jabllanicë të Gjakovës ku humbjen jetën tre fëmijë, kërkoj një minutë heshtje para tubimit t’i nderojmë ata fëmijë.”
Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, nga tubimi në Obiliq ka përsëritur zotimin për ngrohje qendrore në këtë qytet dhe zgjidhje të ndotjes së ajrit.
Sipas tij do të investohen mbi 120 milionë euro për termocentralin Kosova B.
“Me ndërtimin e Termocentralit të ri nuk do të mbetni pa punë. E kur jemi te pagat, do t’i rrisim pagat për të gjithë punëtorët e sektorit publik. Koeficienti 150, që në javën e parë të qeverisë së re, për shërbyesit civil, është zotimi ynë i parë – është vendimi ynë i parë! Një javë, 150”, deklaroi Abdixhiku.
“E di që një qytet me një ndotje kaq të madhe siç është Obiliqi, prandaj nga 50 milionë euro të ndara për gjelbërim, shumica do të shkojnë për Obiliqin’’, shtoi Abdixhiku.



















