Këshilltarja e Albin Kurti dhe njëherit ish-kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka qenë prezentë në festimin e 15 vjetorit të pavarësisë së Kosovës në Beograd. Festimi i përvjetorit të pavarësisë është bërë në rezidencën e shefit të Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jasharit.
Në festë kanë qenë të pranishëm përfaqësues politikë nga Lugina dhe të misioneve ndërkombëtare. Sinani thotë se kjo festë ishte më e veçantë, pasi nga kryeqendra e Serbisë mund të fillojë, sipas saj, demokratizimi i saj.
“Nën organizimin e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, respektivisht shefi i Zyrës, SH.T. Ambasadori Jetish Jashari, pata nderin të marr pjesë në kremtimin e 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës”, shkroi ajo në Facebook.
“Nga të gjitha, shenimi i përvjetorit të 15 të Pavarësisë së Republikës së Kosovës në Beograd ishte i veçantë. Simbolikë shumë domethënëse. Pikërisht sepse njohja e realitetit nga kryeqendra e Serbisë për Republikën e Kosovës, do të jetë shans për demokratizimin e Serbisë Njohja e realitetit nga ana e Serbisë për Republikën e Kosovës dhe respektimi i parimit të reciprocitetit të të drejtave të pakicave në shtetet respektive, është garancë për paqe afatgjate të Ballkanit Perëndimor”, përfundoi ajo.