Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, pas mbajtjes së mbledhjes ku u caktuan komisionet parlamentare, ka thënë se sot është shkelur e drejta e tyre, pasi nuk u mor parasysh kërkesa e LDK’së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme.
Para Hotit, edhe shefi i Grupit Parlamentar të VV’së, Glauk Konjufca, ishte ankuar për të njëjtën gjë. Ai kishte lëshuar mbledhjen e kryesisë së Kuvendit për shkak se kreu i Kuvendit, Kadri Veseli nuk ka thirrur seancë të jashtëzakonshme të kërkuar nga partitë opozitare,
Memli Krasniqi, shef i grupit parlamentar te Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se sjelljet e VV’së e LDK’së ishin një skenar i përgatitur. Ai ka shtuar se ata ishin në ethet e fushatës zgjedhore që do të nisë nesër.
Sipas Krasniqit, ata vet nuk ishin të interesuar që të mbahet seanca. Shefi i GP të PDK’së ka thënë se ata kanë qenë të gatshëm që të mbahet seanca por jo në mënyra imponuese siç u bë sot. /E
















