Edhe Franca, Italia e Gjermania pezullojnë përdorimin e vaksinës së AstraZenecas

E publikuar: 15/03/2021 19:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjermania, Franca e Italia kanë thënë të hënën se do të pauzojnë përdorimin e vaksinës kundër koronavirusit të AstraZenecas, për shkak të shqetësimeve për mpiksje të gjakut, pavarësisht se prodhuesi i ilaçeve ka siguruar që nuk ka asnjë lidhje me të tilla çrregullime.

Të tria vendet thanë se kjo masë do të jetë deri në një vlerësim nga rregullatori i mjekësisë i Bashkimit Evropian, i cili pritet të lëshojë udhëzime të martën, raporton Reutes.

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka thënë se Madridi do të sigurojë një azhurnim mbi çështjen të hënën.

Ministria e shëndetësisë e Gjermanisë tha se vendimi u mor si një “masë paraprake” dhe me këshillën e rregullatorit kombëtar të vaksinave të Gjermanisë, Instituti Paul Ehrlich, i cili bëri thirrje për hetime të mëtejshme të rasteve.

Një zëdhënës nga Ministria e Shëndetësisë tha se Agjencia Evropiane e Medicinës do të vendosë “se si informacioni i ri do të ndikojë në autorizimin e vaksinës”.

“Vendimi ka ardhur për ndalimin e vaksinës së AstraZenecas me shpresë që do ta marrim dritën e gjelbër së shpejti nga EMA”, ka thënë presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Edhe autoriteti i shëndetësisë në Itali, AIFA gjithashtu ka konfirmuar se do ta suspendojnë vaksinat.

Ndërkohë, organizata Botërore e Shëndetësisë tha se nuk ka asnjë provë që tregon se vaksina kundër koronavirusit AstraZeneca shkakton mpiksje gjaku.

OBSH-ja tha të hënën se është duke i rishikuar raportet se kjo vaksinë ka shkaktuar probleme të tilla te disa njerëz që e kanë marrë.

Rreth 17 milionë njerëz në Bashkimin Evropian dhe në Mbretërinë e Bashkuar e kanë marrë këtë vaksinë, ndërsa më pak se 40 raste të mpiksjes së gjakut janë raportuar që nga java e kaluar, tha AstraZeneca.