Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në Itali, ku një 52-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në vendin e punës.
Sipas mediave italiane, bëhet me dije se ngjarja ka ndodhur pasi një ngarkesë me materiale elektrike, me peshë rreth një ton, u shkëput nga vinçi ku ishin ngarkuar dhe e zuri poshtë shqiptarin nga Kosova.
Shqiptari i identifikuar si Nazmi Morina, baba i 4 fëmijëve, humbi jetën sot rreth orës 17:30 teksa punonte në kantierin e shtëpisë së moshuarve Orzivecchi.
Mësohet se ai ishte punonjës i Aurora Costruzioni të Orzinuovit dhe po merrej me shkarkimin e disa materialeve energjitike të ngarkuara në vinç, që do të përdoreshin për rikonstruktimit të sistemit elektrik dhe ndriçimit në shtëpinë e të moshuarve.
Dyshohet se shkak për rënien e ngarkesës të kenë qenë shkëputja e rripave që mbanin ngarkesën.
Ai u gjet i vdekur nga një koleg i tij, i cili më pas njoftoi autoritetet. Prokuroria ka hapur një hetim për ‘vrasje nga pakujdesia’, si dhe ka vendosur nën sekuestro zonën e kantierit, vinçin dhe materialet e ngarkuara.
Me origjinë nga Kosova, Nazmi Morina kishte gati 20 vjet që jetonte në zonën e Breshias, ku dhe kishte ndërtuar një të ardhme dhe një familje. Ai jetonte në Rudiano me gruan dhe 4 fëmijët e tij të vegjël.