E vërteta për murin në Mitrovicë (Dokument)

E publikuar: 09/12/2016 22:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kompania PTP “RAD” nga Zveçani e ka ndërtuar murin në Veri, dhe atë me paratë e qytetarëve të Kosovës, përkatësisht me buxhetin publik të komunës së Mitrovicës së Veriut. Vlera e tenderit për murin dhe punët rreth tij në Mitrovicën e Veriut, kapin shumën prej 103 mijë euro, siç mund ta lexoni edhe në dokumentin e bashkëngjitur në fund.

Personi fitues i këtij tenderi është Radula Stevic – Rade. Ai është Drejtori i Përgjithshëm i Kompanisë PTP Rad, me seli në Zveçan. Ai është njeri i afërt me Marko Djuric dhe Beogradin zyrtar për të cilët i kryen të gjitha punët ndërtimore që lidhen me direktivat e Beogradit në Veri.

Rade Stevic dhe PTP RAD janë popullarizuar në Mitrovicë, atëherë kur vendosën edhe monumentin e Princit Lazar në sheshin ‘Sumadia’ në qendër të Mitrovicës të Veriut, kur edhe u përurua me emocione nacionaliste nga Marko Djuric. PTP RAD, ndryshe njihet si ‘përbirësi’ më i madh i fondeve të komunave në Veriun e Kosovës, qysh nga viti 2014 e deri te tenderi i kryerjes së punëve për murin në Mitrovicë, konfirmon Gazeta Metro.

ka tendencë që muri në Mitrovicë të bëhet temë diskutimi në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, në Bruksel

Ende nuk është e qartë se ndërtimi i murit në veri është ndikuar nga Beogradi zyrtar, por burimet e Gazetës Metro jo zyrtarisht konfirmojnë se ekziston një tendencë për ‘rritje të pazarit’ që muri i ndërtuar të bëhet edhe temë diskutimi edhe në dialogun Prishtinë – Beograd, në Bruksel.

Stafi i Gazeta Metro në Mitrovicë, mëson se “muri nuk do të mbetet në këtë formë që është tani, por ai do të përgjysmohet dhe do të mbushet pjesërisht, që të mbetet pengesë, aq sa nuk do të mundësojë kalimin e veturave. Por, të lidhet me një pjesë tjetër që parashihet të bëhet shëtitore për këmbësorë”.

Një gjë të tillë përafërisht, por në formë zyrtare dhe tërthorazi e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Bashkimit Europian (BE), Maja Kocijancic. Përmes një komunikate ajo ka nënvizuar se “sheshi që pritet të ndërtohet, do të lidhet me murin, për të mundësuar kalimin e këmbësorëve”, duke lënë vend edhe për të nënkuptuar se muri i prerë, do të ketë edhe shkallë, që ju nevojiten këmbësorëve për kalimin e kësaj ndarjeje nga betoni.

Kompania PTP RAD, me seli në Zveçan, deri tash është raportuar se ka pasur edhe nënkontrakorë shqiptarë, përkatësisht, një kompani nga Malisheva me emërtmin “7 vëllezërit”, të cilëve iu bë i ditur emri, në vendimin e Ministrisë që urdhëronte ndalimin e punimeve. /gazetametro.net/