E trishtë në Argjentinë: 1-vjeçari vdes pas mbytjes me një thua artificial të nënës

E publikuar: 05/04/2026 23:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një djalë njëvjeçar ka humbur jetën në mënyrë tragjike në atë që policia beson se ishte një “aksident i rrallë”, pasi dyshohet se ai u mbyt nga një thua artificial që i përkiste nënës së tij.

Dante Valentin Bermudes Rumi u dërgua me urgjencë në spital, pasi pati vështirësi në frymëmarrje, por u shpall i vdekur pak pas mbërritjes më 21 mars, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar. Një hetim është hapur pasi autopsia zbuloi se ai vdiq nga asfiksia, pasi rrugët e frymëmarrjes iu bllokuan nga “dy gjësende” të mbetura në fyt.

Nëna e Dantes, Aylin Saucedo, manikyre me profesion, tregoi për mediat argjentinase momentet e tmerrshme në shtëpinë e tyre në Los Polvorines, në Buenos Aires.

Ajo tha: “Djali im vdiq më 21 mars. Ishim në shtëpi dhe kuptova që nuk po merrte frymë. Vrapova te fqinja për ndihmë, por ajo nuk mundi të bënte asgjë. Më pas erdhi tezja ime dhe ndodhi e njëjta gjë, kështu që e futa Danten në makinë dhe shkuam në spital. M’u deshën rreth 10 minuta. Djali im kishte vdekur kur arritëm”, shkruan Daily Star.

Policia u thirr në Spitalin “Dr Federico Abete”, pasi babai i fëmijës mbërriti dhe dyshohet se sulmoi Aylin, partnerin e saj të ri dhe babanë e saj.

Ajo i tha kanalit televiziv “Todo Noticias” se ish-partneri i saj gjithashtu u përpoq ta pengonte të merrte pjesë në ceremoninë mortore të djalit, duke i fshehur informacionin për vendin ku do të mbahej ajo.