Një person ka humbur jetën pasi ka rënë në një motor avioni në aeroportin Schiphol në Amsterdam të Holandës.
“Një incident ndodhi pasditen e së mërkurës në platformën e Schiphol, aeroportit, ku një person ra në një motor avioni të ndezur dhe humbi jetën”, tha policia.
Më tej autoritetet sqarojnë se po hetohen rrethanat e ngjarjes. Nuk dihet nëse personi ishte pasagjer apo punonjës.
Pasagjerët ishin në bordin e avionit të nisur për në Billund, në Danimarkën qendrore, kur ndodhi incidenti fatal, tha një deklaratë nga transportuesi ajror KLM.
Aeroporti Schiphol, i cili është një nga qendrat më të ngarkuara të aviacionit në Evropë, e përshkroi ngjarjen si një “incident të tmerrshëm”.
Ky nuk është rasti i parë i vdekjes së një personi në këtë mënyrë.
Në dhjetor 2022, një punonjës i aeroportit vdiq në një aksident në Aeroportin Rajonal Montgomery në Alabama, pasi u ‘gëlltit’ në motorin e një avioni.
Edhe në dhjetor 2015, një inxhinier në aeroportin e Mumbait humbi jetën po në të njëjtën mënyrë. /Top Channel