Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka shkruar për takimin që ka pasur sot me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njëherësh Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Konjufca ka thënë se në takim me Escobarin diskutuam për zhvillimet aktuale politike në vend, rajon dhe më gjerë, procesin e dialogut dhe hapat e mëtejmë, me fokus të veçantë propozimin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka ritheksuar se për dallim nga Serbia, Kosova ka luajtur rol konstruktiv përgjatë gjithë procesit të dialogut, përfshirë edhe takimin e 27 shkurtit në Bruksel.
“Diskutuam për zhvillimet aktuale politike në vend, rajon dhe më gjerë, procesin e dialogut dhe hapat e mëtejmë, me fokus të veçantë propozimin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Republika e Kosovës është e përkushtuar për fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet në rajon. Gjithashtu, për dallim nga Serbia si palë minuese, Republika e Kosovës ka luajtur rol konstruktiv përgjatë gjithë procesit të dialogut, përfshirë edhe takimin e 27 shkurtit në Bruksel”, ka thënë Konjufca.
Kryekuvendari ka shtuar se Kosova asnjëherë nuk do ta humbë fokusin nga njohja e plotë, dhe se çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet në procesin e dialogut me Serbinë duhet të respektojë në plotni sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
“Ritheksova se asnjëherë nuk do ta humbim fokusin nga njohja e plotë, dhe se çfarëdo marrëveshje që mund të arrihet në procesin e dialogut me Serbinë duhet të respektojë në plotni sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. E falënderova emisarin Escobar për angazhimin dhe rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në procesin e dialogut dhe shpreha gatishmërinë për fuqizimin e mëtutjeshëm të partneritetit të ndërsjellë, si dhe avancimin e marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Konjufca.