E plagosur një 24-vjeçare dhe një 32-vjeçar, detaje nga rasti në Ferizaj

E publikuar: 10/04/2026 23:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Si pasojë e të shtënave me armë zjarri kanë mbetur të plagosur në Ferizaj një 24 vjeçare dhe një 32 vjeçar.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizaj, Kanun Veseli, tha se i plagosuri pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore në Ferizaj, është transportuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Me datën 10.04.2026, rreth orës 22:00, kemi pranuar një informatë se në rrugën “Driton Islami”, në afërsi të rreth-rrotullimit, ka pasur të shtëna me armë zjarri. Sipas informatave të para, dyshohet se janë plagosur dy persona, një femër ( rreth 24 vjeçe) dhe një mashkull ( rreth 32 vjeç), të cilët janë dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj për trajtim mjekësor. I plagosuri mashkull, pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore në Ferizaj, është transportuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë (QKUK) për trajtim të mëtejmë mjekësor”, tha ai.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të rendit, hetuesit e stacionit, si dhe hetuesit dhe krim-teknikët nga Sektori Rajonal i Hetimeve, të cilët janë duke kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe po punojnë intensivisht për të sqaruar rrethanat që kanë çuar deri te kjo plagosje.

Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit.