Të nevojshme dhe të dobishme e ka vlerësuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, hapjen e Urës së Ibrit, përgjatë një takimi në objektin e Qeverisë me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutas.
Takimin e ka njoftuar Zyra e kryeministrit, ku shtohet se Kurti ia përmendi komandantit të KFOR-it raportin preliminar për qëndrueshmërinë e Urës së Ibrit.
“Ndër temat qendrore ishte hapja e urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë si një gjë e drejtë, e nevojshme dhe e dobishme. Kryeministri Kurti e njoftoi komandantin e KFOR-it mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe rezultatet nga raporti preliminar i vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, të dorëzuar nga operatori ekonomik tek Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Në kuadër të hapave të nevojshëm të ndërmarrë nga Qeveria për hapjen e urës, ai rikujtoi dhe takimin publik me qytetarët e Mitrovicës së Veriut, të organizuar më 8 gusht nga komuna e Mitrovicës së Veriut e ku të pranishëm ishin qytetarë nga komuniteti serb, organizata joqeveritare dhe përfaqësues nga niveli qendror e lokal si dhe KFOR-i dhe EULEX”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Tutje, thuhet se u diskutua edhe lidhur me mundësinë e ballafaqimit me zjarret në ditë të nxehta.