E mitura nga Malisheva denoncon dhunimin: I dyshuari i mitur incizoi aktin dhe e shpërndau në rrjete sociale

E publikuar: 06/12/2025 18:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një vajzë e mitur dje në Malishevë ka deklaruar se është dhunuar nga një person që dyshohet se është po ashtu i mitur, ndërsa më pas video-incizimet e aktit janë shpërndarë në rrjete sociale.

Ngjarja ka ndodhur para rreth pesë muajsh në rrugën “Ibrahim Mazreku”, ndërsa rasti është paraqitur më 5 dhjetor 2025.

Sipas informacioneve nga strukturat e afërta me hetimin, viktima R.H., rreth 16-vjeçare, në prani të Punëtorit Social të QPS-së, ka deklaruar se kishte qenë në lidhje me të dyshuarin, të cilin e njeh vetëm me emër dhe nuk është e sigurt për identitetin e plotë të tij.

Vajza e mitur ka treguar se gjatë kohës sa kishte pasur kontakt me të, i dyshuari kishte kryer marrëdhënie me të dhe kishte realizuar video-incizime të aktit. Para disa ditësh, këto incizime dyshohet se janë shpërndarë në rrjetet sociale nga i njëjti.

Prokurori kujdestar për të mitur është njoftuar menjëherë dhe ka urdhëruar të iniciohet rasti “Dhunim”. Ndërkohë, Njësia e Hetimeve Rajonale është angazhuar në identifikimin e personit të dyshuar dhe në mbledhjen e provave lidhur me videot dhe gjithë rrethanat e ngjarjes.

Hetimet po vazhdojnë.