E mitura 17 vjeçe dhe një 19-vjeçare të përfshira në rast falsifikimi dhe posedimi narkotikësh

E publikuar: 08/02/2026 12:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës ka arrestuar disa persona që lidhen me falsifikim të parave dhe lëndëve narkotike, përfshirë edhe dy shtetas palestinezë, njëri nga ta me urdhërarrest ndërkombëtar. Aty ishte e përfshirë edhe një vajzë e mitur, të cilës iu janë gjetur dollarë të falsifikuar.

Sipas Policisë, mbrëmjen e 6 shkurtit është raportuar për një rast të përdorimit të një kartëmonedhe të falsifikuar në vlerë prej 20 euro në fshatin Prelez i Jerlive, pranë një pompe të derivateve.

Patrulla policore ka identifikuar tre të dyshuar: Sh. V. (27 vjeç), shtetas i Kosovës, dhe dy shtetas palestinezë, N. Z. (30 vjeç) dhe M. O. (28 vjeç). Gjatë kontrollit, janë sekuestruar një sasi e vogël substance të dyshuar narkotike, dy mulli dhe kartëmonedha e dyshuar.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, janë iniciuar rastet “Falsifikim i parasë” dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”. Dy shtetasit e huaj janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Sh. V. është liruar pas intervistimit.

Kurse, dje gjatë hetimeve, është identifikuar banesa me qira e të dyshuarve në Ferizaj, ku janë sekuestruar dokumente identifikimi të shteteve të tjera. Po ashtu, është zbuluar se M. O. kishte urdhërarrest ndërkombëtar dhe ishte shoqëruar nga e mitura kosovare A. T. (17 vjeçe). Gjatë kontrollit në banesën e saj në Kaçanik, janë gjetur 39 kartëmonedha 50-dollarëshe të dyshuara si të falsifikuara, një sasi e vogël narkotikësh dhe dokumente të huaja. Substanca narkotike i përkiste E. D. (19 vjeçe).

Të gjitha veprimet janë kryer në koordinim me Njësitin e Hetimeve të Kufirit dhe Prokurorinë Themelore në Ferizaj. E mitura është intervistuar në prani të prindit dhe avokatit, ndërsa ajo dhe E. D. janë liruar për procedura të mëtejshme. Hetimet po vazhdojnë deri në kompletimin e rastit.