E mërkura në Champions, vëmendja te Bayern-Arsenal

E publikuar: 03/11/2015 19:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Faza e grupeve e Uefa Champions League vjen këtë të Mërkurë me të tjera sfida intersante që mund të zbulojnë më shumë përsa i përket skuadrave që do të avacojnë në ruandin e 1/8-ave të këtij kompeticioni. Në Mynih do të vihet në skenë akti i dytë mes Bayernit dhe Arsenalit ndërsa shumë të rëndësishme do të jenë edhe sfidat Roma-Bayer Leverkusen dhe Chelsea-Dynamo Kyev. Në Gjermani Bayerni i Pep Guardiolës do të kërkojë të hakmerret ndaj Arsenalit të Arsene Wenger për atë humbje 2-0 që topcinjtë u shkaktuan bavarezëve dy javë më parë në Londër. Në dy transfertat e fundit në Mynih ndaj Bayernit Arsenali ka marrë një fitore dhe një barazim dhe dhe për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit anglezët do të nisen pikërisht nga këto dy ndeshje. Për sfidën ndaj Bayernit, Wenger nuk do të ketë në dispozicion lojtarë të rëndësishëm si Walcott, Ramsey, Wilshire, Chamberlain e Arteta. Më e mirë është situata në shtëpinë e Bayernit që për arsye dëmtimi nuk ka të gatshëm vetëm Mario Gotzen dhe Franck Ribery dy futbollistë që mungojnë prej kohësh. Kampionët e Gjermanisë dëshirojnë të marrin me cdo kusht një fitore ndaj Arsenalit për të hedhur një hap të sigurtë drejt kualifikimit. Në konferencën për shtyp përpara kësaj sfide Guardiola ka paralajmëruar futbollistët e tij të kenë kujdes nga Arsenali ndërsa trajneri i topcinjëve Wenger ka nënvizuar se do të ishte i kënaqur edhe me një barazim në këtë ndeshje. Sfida tjetër e grupit F do jetë ajo mes Olympiacosit dhe Dinamos së Zagrebit që do të luhet në Athinë. Në grupin E, Barcelona pritet ta ketë thjeshtë një formalitet fitoren e radhës në Champions pasi pret Bate Borisovin në Camp Nou. Sytë e të gjithëve në këtë grup do të jenë në Olimpico, aty ku Roma dhe Bayer Leverkusen do të rinisin gjithcka nga ai barazim 4-4 i BayArenas, për të hedhur një hap të sigurt drejt vendit të dytë. Në grupin G, Chelsea i Jose Mourinhos duhet medoemos të mposhtë Dynamon e Kyevit në Stamford Bridge për të parakaluar ukrainasit në renditje. Gjithsesi presioni është në krahun e Bluve të Londrës dhe Chelsea nuk pritet ta ketë të lehtë, edhe pse 2 javë më parë meritonte të fitonte në Ukrainë pasi dominoi në lojë ndaj Dynamos, që me shumë fat arriti të merrte një barazim 0-0. Nuk parashikohet të hasë vështirësi Porto në transfertën e Tel Avivit përballë izralitëve të Maccabit. Në grupin H, francezëve të Olympique Lyon u paraqitet shansi i fundit për të tentuar kualifikimin kur të përballen me Zenitin e Andre Villas Boas, në Gerland. Rusët të cilët i kanë fituar tre ndeshjet e para do të kënaqeshin edhe me një barazim në këtë ndeshje. Ndërkohë në Belgjikë Valencia do të sfidojë në transfertë Gent. Spanjollët pozicionohen në vendin e dytë të grupit H dhe kanë nevojë për një fitore për ti luajtur të qetë më pas dy ndeshjet e fundit.