Ishte një ditë paksa e qetë, në krahasim me ditët tjera të pasluftës, kur patrullat e KFOR-it gumëzhinin, ma gërryenin mendjen në thellësi…
Desha të shtrihem ashtu si thotë mbreti – për së gjati, edhe pse sa isha ngritur nga shtrati i gruas dhe ende ndjeja aromën e trupit të saj të nxehtë…
Papritmas telefoni cingërroi. “Alo, dilinxhi, më fal që të trazova kaq herët, por më duhesh patjetër, sepse më vonë e di që ke obligime të tjera…”.
Pa një e pa dy u ngrita dhe fillova të vishem, madje pa bërë dush fare, pa pirë kafenë e mëngjesit…
Dhe, teksa ecja, në mendjen time silleshin lloj-lloj skenash… E paramendoja se AJO do t’më dilte përpara në ndonjë fustan të hollë të tejdukshëm, që majat e gjinjve në mënyrë provokuese t’më joshnin…
Përkundrazi, përpara më doli burri i saj, si zakonisht, i veshur bukur dhe me buzëqeshje më ftoi të hymë në dhomën e ditës…
Më kishin ftuar t’u rregulloja zërimin nëpërmes kompjuterit për një aheng që do ta bënin në mbrëmje për ditëlindjen e saj.
Ajo erdhi pas pak, por jo e veshur ashtu si e paramendoja, më përshëndeti dhe më ofroi kafenë…
E përfundova shumë shpejt punën që kërkuan ata nga unë, por kurrsesi nuk m’u dha rasti, madje, ta prekja as me dorë…
Duke më përcjell, burri i saj më ftoi për në mbrëmje.
“Na gëzoni nëse vini sonte ti me shoqen tuaj”, më tha ai.
E gjithë dita më eci mbarë. Mendja më fluturonte sa andej e sa këndej…
Në mbrëmje shkuam me shoqen time në ahengun e saj dhe kaluam çaste të këndshme: me muzikë, humor e verë të kuqe…
Kah mesnata, kur të gjithë ishim lodhur tej mase, ajo për një çast humbi nga ahengu. Pas pak vetëm një cingërr në telefonin tim. Ishte numri i saj. U përvodha kinse për të shkuar në tualet. Kështu i thash gruas sime.
Kur dola në korridor ajo ishte në derën e hyrjes. U nisa drejt saj. Ajo doli në oborr dhe u fsheh pas “gardhit të gjallë”, siç i thoshim ne.
Kuptohet, edhe unë pas saj. Kur iu afrova më tërhoqi për krahu dhe më puthi fort e fort. Më kafshoi në buzë, në faqe, në qafë…
“Ikë nga këtu sa nuk na kanë zënë!”, i thash.
Por, para se të ikte edhe një herë më puthi fort e fort dhe u nis drejt derës së hyrjes.
Unë edhe pak çaste qëndrova jashtë, sepse nuk doja të paraqitesha në aheng menjëherë pas saj… Dhe, në çast në oborr u pa edhe ime grua.
“Hupe o burrë!”, më tha posa më pa.
“Nuk hupa! Ja ku jam…”, i thash si me krenari./Kosovarja/