Eksperti i Ekonomisë, Adem Qorrolli, ka njoftuar se personi që e kishte kërcënuar “dy plumba pas qafe” është dënuar me 4 muaj burgim ose 800 euro gjobë.
“Sot, së bashku me avokatin tim Arben Rrahmani , isha në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në seancën gjyqësore lidhur me kërcënimin e bërë ndaj meje nga bashkatdhetari I. Nikqi, i cili kishte përdorur edhe citime për “dy plumba pas qafe” pas prononcimit tim medial në emisionin EuroT7 me Menduh Abazin në televizionin T7.”
Qorrolli ka thënë se i dyshuari ka kërkuar falje.
“Ajo që më befasoi ishte fakti se ai fliste shqip dhe ishte shqiptar. Pavarësisht kërkesave të tij për falje gjatë procesit, parimet e mia dhe besimi në institucione më obligojnë të theksoj se unë nuk fal dhe nuk di të fal në raste të tilla. Falënderoj institucionet e sigurisë dhe drejtësisë për kujdesin dhe mbrojtjen e ofruar ndaj meje dhe familjes sime.”
“Një falënderim i veçantë shkon për të gjitha përfaqësitë diplomatike në Kosovë, mediat, organizatat e biznesit dhe ju miqtë e mi, për kujdesin dhe mbështetjen e treguar deri në arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta: një Kosovë të pavarur, të zhvilluar, të lirë — veçanërisht të lirë në fjalë dhe shprehje. Gjithashtu, dua të bëj të ditur se të gjitha të ardhurat nga kompensimi për dëmet e shkaktuara në këtë rast do t’i dedikohen organizatave të bamirësisë dhe atyre që mbështesin të drejtat e grave në punësim dhe zhvillim ekonomik.”



















