E kaluara në luftë e demarkacioni përplasin në Kuvend Haradinajn me Selimin

E publikuar: 23/03/2018 18:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Votimi i demarkacionit me Malin e Zi shkaktoi një përplasje në mes të deputetit të Vetëvendosjes Rexhep Selimi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ka mjaftuar përmendja e këtij fakti nga Selimi për ta nervozuar keq të parin e ekzekutivit. Ai e ka quajtur gënjeshtar Selimin si dhe ia ka përmendur faktin se me gjithë aktivitetin e tij për liri dhe pas luftës në politikë asnjëherë nuk e ka gjetur asgjë.

Ky debat i ashpër mes Selimit dhe Haradinajt u bë gjatë debatit për shqyrtimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për Projektin e Autostradës Kijevë-Zahaq.

“Është evidente që pas miratimit të marrëveshjes pardjeshme, rruga për në Mal të Zi është shkurtuar më shumë, madje është shkurtuar për disa kilometra. Dua ta konfirmoj edhe një herë që unë nuk iu kam gëzuar kësaj, nëse dikush iu ka gëzuar kësaj janë ata që atë ditë në këtë sallë, pas ratifikimit duartrokitën dhe u përqafen me njëri-tjetrin, kurse, sa i përket asaj që t’i nxjerrim rrugët, rrugët që na u janë marrë i nxjerrim por rrugët që i kemi dhënë vet kurrë më nuk do të mund ti nxjerrim “, tha Selimi.

Pas kësaj deklarate reagoi kryeministri i Kosovës duke akuzuar rëndë Rexhep Selimin.

Gjatë fjalës së tij ka ndërhyrë edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, duke e lutur Haradinajn që të ketë kujdes me fjalorin, pasi po e prishin, të gjithë, duke filluar nga vet ai.

“Ka diçka shumë interesant që dua t’ua them, Rexha është shumë i mençur. Prej që ia ka nis lëvizjes për liri, është aktiv po ferrë nuk i ka hy, njëmend nuk i ka hy ferrë Rexhep Selimit, ka shpëtuar vet, edhe pas luftës ka shpëtuar mirë, nuk e ka bërë asnjë ditë burg, asnjë problem nuk i ka ndodhë… por prit veç pak, ti po thua që për pak ditë pushtet e kam shit tokën, ti je rrenc i madh, ti ke qëndruar në Shqipëri je shëtit para luftës, gjatë luftës dhe pasluftës, gjithë kohës, e din që nuk është ashtu, je ulë afër këtij burri për vota, ky ka me pa që ke me lanë këtë shpejt”, i tha Haradinaj Selimit.

Debati dhe akuzat në mes kryeministrit Ramush Haradinaj dhe deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi nuk është ndalur as atëherë kur kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ia tërhoqi vërejtjen kryeministrit të ketë kujdes me fjalorin.

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, tha se nuk e kupton kryeministrin Haradinaj pse është kaq nervoz në seancë.

“Dua t’i them Ramushit keq e ki, e ki keq edhe kur e përmende 15 katëshin sepse unë e ti nuk jemi takuar kurrë në 15 katshin, jemi takuar në Gllogjan, Jabllanicë dhe nëpër luftë. Po ashtu, sa i përket që s’më ka hy asnjë ferrë në këmbë, unë besoj që nuk të vjen keq për këtë punë se mua nuk më ka hy asnjë ferrë po shumë prej ferrave i kemi kaluar bashkë unë e ti Ramush. Nuk e di sa ferra i kanë hy Hashimit që tash je në koalicion me të, por ferra kemi kaluar bashkë unë e ti. Kurse, sa i përket a jam i mençur, po; po dukem goxha i mençur jam e sidomos në momentin kur nuk e kam votuar Qeverinë tënde, sepse po ta votoja Qeverinë tënde do të ndihesha përgjegjës për atë çka ka ndodhur pardje”, tha Selimi, përcjell Ksp.

Kryeministri Haradinaj ka reaguar sërish, duke e pyetur deputetin Selimi nëse është i sigurt që për pak ditë në pushtet e ka shitur tokën, derisa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, sërish ka ndërhyrë duke e lutur që të kthehen në temë për hir të shoqërisë gjatë luftës.

“Rexhë të kishe thënë ky fitoj këtë, ky këtë, dhe Ramushi marren nuk të kisha reaguar sot, nuk e di pse të ka shkuar mendja veç te pushteti, ti e din Rexhë, nëse nuk e din Rexhë, a je i sigurt që për pak ditë në pushtet e kam bërë atë Rexhë”, i tha Haradinajt.

Kurse, Selimi u dëgjua tek sa tha se nuk tha që është i sigurt./koha.net/