“E kaluara e kosovarëve e serbëve mund të kalohet duke i shfrytëzuar interesat ekonomike”

E publikuar: 03/09/2015 13:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në konferencën që sot u mbajt në Mitrovicë, ku morën pjesë shtatë ambasadorë të vendeve të huaja, shtatë politikanë shqiptare dhe shtatë serb, i pranishëm qe edhe kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli.

Ai ka thënë se në fjalimin e tij, pikë kryesore ishte të kapërcehet trashëgimia negative e të kaluarës mes shqiptarëve dhe serbëve, transmeton Indeksonline.

Sipas tij, Kosova e Serbia duhet të marrin shembull nga modeli evropian franko-gjerman, konflikt ky që u kalua nga të dy vendet pasi shfrytëzuan qymyrin dhe çelikun, e që çuan deri në themelimin e Bashkimit Evropian.

Lexoni më poshtë shkrimin e Pacollit në Facebook:

Sot në Mitrovicë, gjatë një konference kushtuar të ardhmes së marrëdhënieve shqiptaro-serbe me praninë e 7 ambasadorëve të vendeve të rëndësishme, politikanëve shqiptarë dhe serbë, ekspertëve, mbajta një fjalim ku kryefjala ishte: të mendojmë ekonomikisht për të kapërcyer trashëgiminë negative të së kaluarës.

Të mbështetemi tek modeli europian frankogjerman i kapërcimit të konfliktit. Ky model mbi interesat ekonomikë të shfrytëzimit të përbashkët të qymyrit dhe çelikut, themeloi Bashkimin Europian.

Dhashë edhe shembullin e dy personave të ulur në tavolinë të cilët pretendojnë pronësinë mbi mbulesën e tavolinës. Nëse të dy palët do tërheqin mbulesën ajo do të griset….

Më vonë do ju përcjell dhe fjalën time të plotë që ua shpërndava të ftuarve, me zgjidhjet që unë propozoj sipas këtij modeli : për zonat e lira ekonomike, për Trepçën, për elektroekonominë, për hekurudhat, etj.