“E bëra për ta kfjellur, humbi ndaj serbës” – Trajneri që goditi me shuplakë 8 vjeçarën është babai i saj, deklarohet

E publikuar: 10/11/2024 21:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Trajneri i 8 vjeçarës që fitoi vendin e dytë në Kampionatin Evropian të vajzave në Taekwondo shihet në një video duke e goditur me shuplakë sportisten pasi ajo humbi në garë ndaj sportistes serbe më të cilën po garonte për medalje të artë.

Valmir Fetiu, i cili është edhe babai i vajzës ka sqaruar për Gazetën Insajderi sjelljen e tij.

Ai thotë se këtë veprim e bëri për ta “kfjellur” vajzen e tij e cila e përjetori rëndë humbjen ndaj një serbe.

“Ka qenë ndryshe situata jo siç është paraqit ne mediat serbe. Sportistja është vajza ime. Dy muaj jemi përgatit çdo ditë për me u bo kampione në këtë lajmi. Edhe kjo ndaj ukrainases e fitoj 9-0. Mirëpo në garën e dytë referi boni disa gjeste që këtë e qiti prej vetes. Edhe vajza ime ja nisi me qajtë pse humba unë prej serbes, e kishte inatin pse prej serbes. Edhe ja nisi me qajt e me i bo disa gjeste, u blloku edhe e kapa e i thash qu mos bo gjeste, i kom ra pak për me kfjell… Askush nuk e don vajzen time më shumë se une.” – deklaron Fetiu për Insajderin.

Taekwondistja 8-vjeçare nga Kosova humbi nga garuesja serbe në finale të Kampionatit Evropian për kadetë dhe fëmijë që u zhvillua në Tiranë.

Lojtarja e taekwondos nga Serbia, Nina Savic e fitoi medaljen e artë, pikërisht ndaj taekwondistes kosovare.

Në videon, që bëri bujë dhe u shpërnda shumë në vende të ndryshme të regjionit, shihet trajneri duke tërhequr fillimisht për helmete 8-vjeçaren, e cila bie në dysheme në shenjë dëshpërimi për humbjen, ngrihet duke qarë dhe më pas merr një goditje me shuplakë nga trajneri.