Sot, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, grupe nxënësish nga shtatë regjionet e vendit, vizituan Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, ata i takoi edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, i cili në një mbledhje të improvizuar prej tyre, u është drejtuar me një fjalë rasti.
“Ju jeni e ardhmja e Kosovës dhe ne kemi obligime të mëdha ndaj jush”, tha kryetrai Veseli, ndërkaq, në vijim i porositi ‘Insistoni të mësoni me dashuri dhe me mençuri të realizoni ëndrrat e juaja’.
Fëmijët i përshëndeti edhe drejtoresha rajonale e UNICEF-it, Marie – Pierre Poirier. Duke ua uruar 1 Qershorin, ajo vuri në spikamë se ndjehet e lumtur që dëgjon fëmijët e Kosovës duke folur për të arriturat dhe çështjet që ëndërrojnë të arrijnë ata.
Fëmijët, tha ajo, janë e ardhmja e Kosovës, ndërkaq u shpreh e përkushtuar për bashkëpunim të mëtutjeshëm ndërmjet UNICEF-it dhe vendit tonë.
Në fund të kësaj mbledhjeje të improvizuar nga fëmijët e të gjitha anëve të Kosovës, ata miratuan një Rezolutë nëpërmjet së cilës bëjnë thirrje për një kujdes të shtuar ndaj tyre dhe trajtim të dinjitetshëm nga ana e të rriturve.
Pas kësaj fëmijët u njohën edhe me ambiente tjera të Kuvendit të Kosovës. /Telegrafi/