Të besojmë vetëm për një çast se dikush nga njerëzit e këtij shteti e ka seriozisht, se rrugë tjetër nuk kemi. Njerëz tjerë s’kemi. Shtet tjetër nuk kemi. Se, përndryshe, fatkeqësisht mund t’i bjerë se nuk qenkemi të denjë për shtet. Dhe e dimë se kush do të mund t’i gëzohej më së shumti një përfundimi të këtillë.
KREJT QENKEMI agjentë e detektivë, e megjithatë Kosova po vazhdon të na renditet lart në listat e zeza për krim, korrupsion e pjesëmarrje në luftëra të huaja.
Kjo po më sillej në mendje gjatë fundjavës, teksa po shikoja reagimin e shumë individëve lidhur me arrestimin nga policia e pesë të të dyshuarve për aktivitet terrorist në afërsi të liqenit të Badovcit.
Ende pa pasur asnjë qartësi për ngjarjen dhe individët dhe pa shumë informata të dhëna për publikun nga organet e ndjekjes (praktikë normale në raste të hetimeve për dyshime të mëdha kriminale e terroriste), si rëndom, nuk vonuan të shfaqeshin “teoritë e ekspertëve”. Reagimet silleshin nga skeptikët e skajshëm, të cilët në gjithë aksionin shihnin një komplot të qeverisë, policisë, shërbimeve të huaja etj. e deri te fatalistët që thoshin se vendi ndodhej para një katastrofe shkaku i rrezikut të praktikuesve të islamit ekstrem.
Por të rrallë, shumë të rrallë, ishin ata që kërkonin që të lejohet kohë që policia dhe organet e tjera ta bëjnë punën e vet dhe pastaj të dilet me përfundime.
Dhe ky nuk është fare një rast i izoluar. Për më tepër, besoj se kjo formë e qasjes ndaj problemeve e fenomeneve të ndryshme sociale, politike, ekonomike a kulturore është bërë në masë të madhe përkufizuese e shoqërisë kosovare. Dyshojmë në gjithçka, reagojmë ndaj gjithçkaje dhe – rrimë duarkryq. Pastaj – shajmë. Se në të kundërtën dyshimi dhe reagimi janë domosdoshmëri për të çuar në shtytje pozitive – janë thirrje për angazhim, veprim dhe përmirësim të gjendjes fillestare jo të mirë. Mirëpo, ne këtë e këtu po e shohim të na ndodhë fare pak. Përndryshe do t’i kishim punët më mirë. Sikur secili të merrej pak më shumë me vetveten, me punën që e bën më mirë vetë, që të mos bëhemi ekspres-ekspertë të përgjithshëm, që t’ia lejojmë edhe tjetrit nja pesë minuta të na dëshmohet.
Se, po e përsëris, jemi duke dështuar shumë dhe në shumë anë.
KOSOVA SOT, për shembull, është edhe në vendin e fundit sa i përket zhvillimit ekonomik në Evropë. Gjatë këtij viti përgjithësisht është shënuar rritje e deficitit tregtar krahasuar me vitin paraprak. Eksporti vazhdon të mbulojë importin me një konstante prej rreth 15 për qind, me numrin më të madh të importeve nga Serbia. Investimet e jashtme në vitin 2014 kanë rënë në masën prej 54 për qind, në vetëm 176 milionë euro, krahasuar me një vit më parë, që edhe ashtu ishin shumë të pakta.
Por, çka bëjmë ne (me përjashtime të rralla)? Dyshojmë, reagojmë dhe – rrimë. Pastaj fillojmë e shajmë.
T’i shohim sa për ilustrim investimet kapitale. Nëse vjen një investitor i huaj, asnjëherë nuk mund t’i ikim dyshimit (për të mos thënë bindjes) se kanë ardhur disi për të na marrë pasuritë tona me mashtrim (sic!). Nëse i huaji lidhet me ndonjë investitor të vendit, shihet vetëm si mbulesë e vendorit. Nëse është investitori vendor, atëherë atributi kryesor është – dallaveraxhi. Si ajo puna e Nastradinit me të birin dhe gomarin. Unë asnjëherë nuk po dua të them se nuk ka raste kur nuk ndodh e para, e dyta ose e treta, se raste të tilla edhe kemi parë të ndodhin. Por as nuk mund ta besoj se gjithmonë të gjithë kanë një qëllim – mashtrimin tonë. Kur flasim për ekonominë e lirë të tregut, të cilën Kosova e garanton me Kushtetutë, atëherë kjo ka të bëjë me relacionin e thjeshtë të kërkesës dhe ofertës, me qëllim final fitimin dhe përfitimin. E këtu duhet bërë llogaritë e sakta se çka fiton investitori dhe çka përfitojnë ata që pajtohen t’ia japin të drejtën e investimit. Nuk mund të bindem se të gjithë janë çuar peshë të na mashtrojnë dhe se ne, të gjithë, po pandehemi aq mendjelehtë saqë t’ua lejojmë të na mashtrojnë.
Ngjashëm e shohim situatën te gjyqësia. Sistemi gjyqësor në vend vlerësohet si i dobët. E Kosova është edhe i vetmi shtet evropian me mision të veçantë për sundim të ligjit, me kaq shumë gjyqtarë të huaj. Ne nuk u besojmë dhe nuk i bindemi gjykatësve, prokurorëve dhe avokatëve kosovarë. Pastaj nuk u besojmë e nuk u bindemi as gjykatësve, prokurorëve dhe avokatëve të huaj. Të gjithë kanë dyshime, të gjithë reagojnë dhe – rrimë. E edhe nuk harrojmë të shajmë. Përndryshe do të ndryshonte situata më shpejtë për të mirë.
A nuk është ngjashëm me sektorin tjetër – atë të shëndetësisë?
Apo edhe me atë të arsimit?
Të politikës?
Dyshojmë, reagojmë dhe – rrimë. Shajmë.
MIRËPO, TEKSA I konstatoj të gjitha këto, konsideroj se njëkohësisht duhet të dimë se njerëzit nuk mund t’i ndërrojmë me një kontingjent magjik të disa njerëzve të tjerë.
Ne, të gjithë, e popullojmë këtë vend dhe secili me veprimin ose mosveprimin e vet, kemi bërë që ky vend të jetë këtu ku është. Secili prej nesh mund të ketë një pozitë të rëndësishme në një sektor të ndjeshëm të këtij vendi, nga e cila pozitë do të varet se a do të marrin kahe pozitive apo negative të zhvillimit. E nëse nuk jemi vetë në këto pozita, mund të jetë vëllai ose motra jonë, prindërit, fëmijët, komshinjtë ose kushërinjtë, të cilët – ta pranojmë – nuk mund t’i ndërrojmë me të tjerë. Dhe është faji ynë, ose i tyre, nëse gjërat shkojnë jo mirë, dhe anasjelltas, suksesi ynë ose i tyre – nëse ka zhvillime pozitive. Por, secili veprim i secilit prej nesh do të ndikojë për të mirën ose për të keqen e kësaj shoqërie, e këtij shteti.
Të besojmë vetëm për një çast se dikush nga njerëzit e këtij shteti e ka seriozisht.
Se rrugë tjetër nuk kemi.
Njerëz tjerë s’kemi.
Shtet tjetër nuk kemi.
Se, përndryshe, fatkeqësisht mund t’ i bjerë se nuk qenkemi të denjë për shtet.
Dhe e dimë se kush do të mund t’i gëzohej më së shumti një përfundimi të këtillë./koha.net/