Disa kompani, veçanërisht në sektorin e naftës, pastrimit dhe nga të ashtuquajturat qendra të thirrjeve (call center) dyshohet se kanë përfituar kundërligjshëm nga Pako Emergjente Financiare, përkatësisht nga masa e 3-të, për pagën 170 euro që është paraparë për punëtorët e sektorit privat.
Për këtë, Ministria e Financave dhe Transfereve thotë se është në dijeni dhe ka pranuar se disa kompani mund të kenë përfituar pa i plotësuar kriteret e kësaj Pakoje.
Ata kanë bërë të ditur se një kompani që ka marrë mjetet në emër të punëtorëve pa të drejtë, veç ka filluar t’i kthejë parat. Porse drejtues të Odës Ekonomike të Kosovës po kërkojnë nga Prokuroria e shtetit të nisin hetimet për keqpërdorimet e mundshme që janë bërë nga kompanitë ose Ministria e Financave dhe Transfereve.
Edhe Sindikata e Sektorit Privat ka paralajmëruar se në fillim të javës së ardhshme do të parashtrojnë padi ndaj Ministrisë së Financave, e cila sipas tyre, i ka mundësuar kompanive private të keqpërdorin mjetet e buxhetit të shtetit.
Zëvendësministri i Financave dhe Transfereve, Agim Krasniqi, për KosovaPress thotë së kanë informacione që këto ndërmarrje përkundër që janë paguar prej buxhetit të shtetit dhe kanë realizuar të hyra nga sektori publik, i kanë futur punëtorët në listë për masën për 170 euro.
Ndërkaq shton se vetëm kompanitë që kanë qenë të mbyllura në këtë kohë kanë pasur të drejtë në këto mjete.
“Ftesa e jonë e parë ka qenë që këto kompani t’i rikthejnë mjetet. E di që një kompani ka filluar t’i rikthejë. Po ashtu kemi pasur raste dhe informatat që na thonë që një pjesë e madhe e kompanive të ashtu quajtura ‘Call center’ (qendra të thirrjeve) punëtorët e tyre i kanë obliguar të punojnë prej shtëpisë dhe veprimtarinë e tyre e kanë zhvilluar sikur në kushte normale. Kështu që këta nuk kanë pasur të drejtë të aplikojnë. Mjerisht, nga punëtorët na është thënë, që këto kompani kanë aplikuar dhe i kanë kërcënuar punëtorët, se kompania në muajin tjetër vijues ka me ua ndal këtë 170 euro nga shteti, dhe ka me ua dhënë vetëm një pjesë tjetër të kompensimit, pavarësisht që kanë punuar dhe kanë pasur përfitim”, thotë Krasniqi.
Ai ka cilësuar se janë bërë dy shkelje nga këto kompani, për mosdeklarim të veprimtarisë, mospagim të tatimeve si dhe keqpërdorim i parasë publike.
Madje, Krasniqi ka parlajmëruar masa nëse këto kompani nuk i kthejnë parat.
Por, ai nuk e ka parë të arsyeshme që të paditet Ministria e Financave dhe Transfereve, edhe pse kjo e fundit mban përgjegjësinë për verifikimin e aplikacioneve dhe procedurave të mëtutjeshme ligjore ndaj atyre kompanive mashtruese.
“Për çka me paditë Ministrinë e Financave, unë po e sqaroj, MFT -ja po i bën ftesë të gjitha kompanive që mos të bëjnë mashtrime. Po u japim mundësinë që në qoftë se kanë bërë veprime të tilla ndoshta edhe nga mosdija ta përmirësojnë një gjë të tillë, ndryshe, si Ministri do t’i shikojmë të gjitha procedurat dhe legjislacionin në fuqi ku kam kërkuar prej drejtorit të ATK-së me përgatit një informatë se çka dhe si proceduralisht kemi me i ndjek këto kompani”, pohon Krasniqi.
Zëvendësministri nuk ka treguar emrat e këtyre kompanive mashtruese.
Kryetari i Sindikatës të Sektorit Privat, Jusuf Azemi thotë për KosovaPress se vazhdimisht kanë kërkuar nga Ministria e Financave dhe Transfereve që të ndërpritet kjo dukuri e keqpërdorimeve të Pakos Emergjente Fiskale.
Kreu i kësaj sindikate edhe pse nuk i ka treguar emrat e kompanive që kanë keqpërdorë mjetet, thotë se këto informata i kanë deponuar në MFT, sepse sipas tij një pjesë e madhe e mjeteve nuk po shkon në vendin e dedikuar, por tek pronarët e kompanive.
“Për kompanitë, ne do ta mbajmë sekret, edhe pse për këto kompani e kemi njoftuar Ministrinë e Financave. Ka prej të gjithë sektorëve, ka prej naftëtarëve, ka kompani që bëjnë mirëmbajtjen e objekteve, ka kompani të serviseve të ndryshme të cilat fare nuk kanë pasur nevojë për ndërprerjen e punës në bazë të vendimit të Qeverisë së Kosovës. Kam një bindje se kush do që ka aplikuar për marrjen e kësaj pakoje, Komisioni nuk ka verifikuar se a ka qenë e ndaluar me vendim apo nuk ka qenë. Pra, vetëm ka mjaftuar një aplikacion dhe parat kanë shkuar në llogaritë e punëtorëve, por që pronarët e kompanive kanë përfituar më së shumti”, thotë Azemi.
Ai paralajmëron se për këto padrejtësi, javën e ardhshme do të bëjnë padi ndaj keqbërësve dhe Ministrisë së Financave dhe Transfereve, pasi konsiderojnë se është përgjegjëse për këto shkelje.
“Ne do të bëjmë padi ndaj Ministrisë së Financave dhe Transfereve, sepse i kemi ofruar argumente dhe nëse nuk veprohet, atëherë po kuptohet që po frikohemi që ndoshta mos ka ndonjë marrëveshje mes kompanive dhe Ministrisë së Financave”, deklaron ai.
Ndërsa, edhe kryesuesi i Kuvendit të Odës Ekonomike të Kosovës, Ruzhdi Kurtishaj, shprehet se kjo çështje është punë që i takon institucioneve që bëjnë hetime, pra prokurorisë, derisa shton se nuk është e ndershme nga ato kompani që keqpërdorin t’i dëmtojnë ato biznese që vërtet janë prekur nga Covid-19.
“Ne gjithmonë i mbështesim ato biznese, të cilat janë të rregullta sa i përket zbatimit të ligjit. Për pjesën tjetër sigurisht mendoj dhe uroj që prokuroria ta kryej punën në bazë të ligjit si organ i pavarur për të hetuar dhe për të adresuar këtë çështje në Gjykatë”, deklaron Kurtishaj.
Ai në emër të Odës Ekonomike e Kosovës ka barë thirrje që bizneset të zbatojnë ligjet të cilat janë në fuqi sa i përket ekonomisë dhe pakos në përgjithësi.
Masa 3-të e pakos emergjente parasheh mbështetje financiare për shoqëritë tregtare që janë në vështirësi financiare si pasojë e rënies së veprimtarisë së tyre për shkak të situatës me Covid-19. Andaj, bëhet mbulimi i shpenzimeve të pagave mujore të punonjësve në vlerë prej 170 euro për muajin prill dhe maj, masë kjo deri në 41 milionë euro, ku deri më tash kanë aplikuar bizneset përreth 170 mijë punëtor. /I. Shabani/
16 maj 2020, 12:43