Ministria e Mbrojtjes ka dalë me një sqarim lidhur me dyshimet se pesë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë helmuar nga ushqimi.
Përmes njoftimit, Ministria ka bërë të ditur se me të marrë informacionin kanë marrë masat e duhura dhe kanë konfirmuar se deri më tash të gjithë pjesëtarët janë shëndosh e mirë.
“Me të marrë informacionin, SHP i FSK-së ka marrë masat e duhura sipas procedurave standarde operative dhe deri më tani kemi të konfirmuar se të gjithë pjesëtarët që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, tani janë shëndosh e mirë dhe nuk ka asnjë arsye për shqetësim”, thuhet ndër tjerash në njoftim.
Po ashtu, Ministria ka treguar se lidhur me rastin janë marrë mostrat e ushqimit dhe janë në pritje të rezultateve të analizave.
“Gjithashtu, përmes mekanizmave tanë zyrtar mjekësor si dhe në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), janë marrë mostrat e ushqimit dhe jemi duke pritur rezultatet e analizave që do të mundësojnë identifikimin e shkaktarëve të mundshëm, që kanë rezultuar me çrregullimin shëndetësor të pjesëtarëve tanë”, njofton tutje Ministria.