Miliona euro keqpërdorime janë evidentuar në Telekomin e Kosovës.
E, për këtë, nisën hetime edhe nga institucionet e drejtësisë.
Mirëpo, duket se këtë ka provuar ta pengojnë nga brenda Policisë së Kosovës.
Sipas burimeve të “Kohës Ditore”, Zymer Gashi, udhëheqës i Njësisë së Auto-Krimeve ka kontaktuar një nga hetuesit e Task-Forcës Kundër Korrupsionit, që të mos hetojë të gjithë zyrtarët e përfshirë në rastin e keqpërdorimeve përmes departamentit të marketingut.
“Zymer Gashi ka shkuar tek hetuesi, i cili ka qenë i ngarkuar me rastin. Ka kërkuar nga ai që njëri nga zyrtarët e Telekomit të mos intervistohet në cilësinë e të dyshuarit”, ka thënë burimi i Kohës në Polici.
Lidhur me këtë rast, sipas burimeve është njoftuar edhe drejtori i Hetimeve në Policinë e Kosovës, Riza Shillova dhe Drejtori i Përgjithshëm, Rashit Qalaj, e ky i fundit nuk është përgjigjur në telefonatat e gazetës.
Ndërkaq, nga Policia e Kosovës njoftojnë se rasti ka shkuar në Inspektoratin e Policisë për hetim.
“Policia e Kosovës, sipas kompetencave të saj, rastin e ka proceduar në Inspektoratin Policor të Kosovës për trajtim dhe hetim të mëtejmë”.
E në anën tjetër, vetë Gashi e ka mohuar se është duke u hetuar.
“Unë nuk jam në dijeni për asnjë hetim që ju aludoni e aq më pak nga IPK-ja, për kinse ndërhyrje në një hetim të Task-Forcës në rastin e Telekomit”, ka thënë Gashi, duke shtuar pastaj se për këtë duhet të kontaktohet Zyra për Informim në Policinë e Kosovës.
Hetimi për të cilin dyshohet se ka ndërhyrë Zymer Gashi, ka të bëjë me atë se si janë sponsorizuar artistë, këngëtarë e media.
E në Komisionin Parlamentar Hetimor për gjendjen në PTK dhe Vala, deputeti i LDK-së Armend Zemaj, kishte përmendur edhe disa këngëtarë që kanë përfituar nga buxheti i Telekomit.
Telekomi ka qenë në qendër të vëmendje kohët e fundit, për shkak të aferave të ndryshme të cilat po i heton Prokuroria Speciale vetëm pas raportimeve të grupit “Koha” për keqpërdorime të shumta.