Irfan Lipovica, i cili mban pozitën e drejtorit të Agjencisë së Akreditimit në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, është parë i ulur në krahun e djathtë të ministres Mimoza Kusari-Lila gjatë një takimi me stafin. Në fotografitë nga mbledhja, ai shihet pranë ministres, ndërsa ajo mban fjalën para të pranishmëve, raporton Infosot.
Në të njëjtin takim ka qenë i pranishëm edhe Hafiz Gara, i cili, ndryshe nga Lipovica, ka zgjedhur të ulet më në distancë, në fund të rreshtit të dytë. Prania dhe vendosja e tyre në sallë nuk do të tërhiqte vëmendje të veçantë, sikur të dy të mos përballeshin me aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Speciale.
Lipovica dhe Gara janë akuzuar bashkë me ish-ministren Rozeta Hajdari, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare në rastin që lidhet me rezervat shtetërore. Aktakuza është ngritur nga Prokuroria Speciale, ndërsa rasti është në procedurë gjyqësore.
Ligji për shërbimin civil parasheh që në rast se një zyrtari publik i ngrihet aktakuzë, ai duhet të pezullohet nga detyra deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata. Megjithatë, sipas të dhënave publike, gjatë mandatit të ish-ministres Rozeta Hajdari nuk ishte ndërmarrë vendim për pezullimin e tyre nga pozitat përkatëse.
Ligji i ri për shërbimin civil saktëson se ushtrimi i funksionit nga një zyrtar ndaj të cilit është ngritur aktakuzë nuk mund të vazhdojë pa u marrë një vendim për pezullim, deri në përfundimin e procesit gjyqësor me vendim të formës së prerë.
Lidhur me këtë çështje, janë dërguar pyetje në ministrinë që aktualisht drejtohet nga Mimoza Kusari-Lila, për të sqaruar nëse do të zbatohet dispozita ligjore që parasheh pezullimin e zyrtarëve me aktakuzë. Deri në momentin e publikimit të këtij teksti, nuk është kthyer përgjigje zyrtare.
Rasti ndaj Garës dhe Lipovicës, bashkë me ish-ministren Hajdari, janë duke u zhvilluar seanca gjyqësore. Dëshmitar nga Prokuroria ishte propozuar edhe Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, por që kishte refuzuar përkundër që ishte gjobitur dy herë./Infosot



















