Banim të përballueshëm për 4.000 familje, pesëfishim të numrit të inspektorëve të punës, pagë minimale prej 250 eurosh, shtesa për fëmijë, veting në drejtësi, padi për gjenocid ndaj Serbisë, shërbim ushtarak të obligueshëm, ndërtim të 160 çerdheve, ndërtim të stadiumit e pishinës olimpike, intervenim ambicioz në politika fiskale, funksionalizim të Aeroportit të Gjakovës e vaksinim të së paku 60 për qind të qytetarëve kundër sëmundjes COVID 19 – janë 12 nga 42 premtimet e kreyministrit Albin Kurtit, të cilat i ka analizuar Radio Evropa e Lirë.
Në gjysmën e mandatit qeverisës, REL-i ju sjell nivelin e zbatimit të këtyre premtimeve, të cilat partia e Kurtit, Vetëvendosje, i ka përmbledhur në programin 50-faqësh të zotimeve, mbi të cilin ka kërkuar besimin e qytetarëve të Kosovës në vitin 2021. Ky dokument askund nuk e përmend dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Por, sa nga premtimet e bëra janë realizuar plotësisht, sa janë në proces, e sa nga to nuk kanë nisur ende të realizohen?
Për të gjitha premtimet, rreth tri javë më parë, Radio Evropa e Lirë ka dërguar pyetje te Zyra e Kryeministrit, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe te Ministria e Mbrojtjes, por vetëm këto tri të fundit kanë kthyer përgjigje.
Përgjigje në pyetjet e dërguara nuk kanë kthyer as Kuvendi i Kosovës, Prokuroria Speciale, Këshilli Gjyqësor dhe Inspektorati i Punës.
Qeveria nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti ka marrë detyrën më 23 mars të vitit 2021.
Shëndetësi
Nga gjashtë premtimet e Vetëvendosjes në shëndetësi, të cilat i ka analizuar REL-i, dy nga to janë realizuar pjesërisht, ndërsa katër të tjerat nuk kanë nisur ende të zbatohen.
- Vaksinimi i së paku 60% të popullatës kundër COVID-19
Ministria e Shëndetësisë nuk i ka kthyer përgjigje REL-it për përqindjen e të vaksinuarve në nivel vendi.
Të dhënat për numrin e të vaksinuarve që publikoheshin nga kjo ministri dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, nuk publikohen më që nga mesi i dhjetorit të vitit të kaluar.
- Aplikimi për anëtarësim në OBSH
Deri tani Kosova nuk ka aplikuar për anëtarësim në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si ministri përgjegjëse për aplikim në nisma rajonale dhe organizata ndërkombëtare, nuk i ka kthyer përgjigje REL-it për këtë çështje. Përgjigje nuk ka kthyer as Ministria e Shëndetësisë.
Sipas një publikimi të vitit 2020 të Institutit të Prishtinës për Studime Politike, me titull “ Anëtarësimi i Kosovës në OBSH ”, Zyra e OBSH-së u hap në Prishtinë në vitin 1998 si pjesë e Zyrës Rajonale për Evropë. Në vitin 2017, ajo ndërroi statusin dhe u vu nën degën e Zyrës Shtetërore serbe të OBSH-së.
Pavarësisht faktit që Kosova nuk është pjesë e OBSH-së, Zyra në Kosovë merr pjesë në konferencat rajonale dhe ndërkombëtare të organizatës, si dhe bashkëpunon me Qeverinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë.
- Funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore publike
Ligji për sigurime shëndetësore deri tani nuk është funksionalizuar. MSH-ja e as Zyra e Kryeministrit nuk i kanë kthyer përgjigje REL-it se kur do të nisë zbatimin e këtij ligji.
Prill 2014
Miratimi i Ligjit për sigurimin shëndetësor
Gusht 2016
Ndarja e 17 milionë eurove nga Qeveria e Kosovës, të cilat më pas ishin tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër
Janar 2017
Ishte paraparë që të niste mbledhja e premiumeve
Korrik 2017
Mbledhja e premiumeve u shty për gjashtë muaj
Mars 2023
Ende nuk ka nisur zbatimi i këtij ligji
- Çdo vit buxhetit për shëndetësi do t’i shtohen 40 milionë euro
- Do të rrisim numrin e qendrave dhe shërbimeve të shëndetit mendor
Brenda dy vjetësh, në Kosovë është hapur vetëm një Qendër e Shëndetit Mendor (QSHM). Sipas Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), kjo qendër është hapur para dy muajsh në Deçan.
SHSKUK-ja i ka thënë REL-it se në Kosovë janë shtatë zona ose rrethe ku organizohet shërbimi profesional i shëndetit mendor. Për rajonin e Prishtinës janë dy QSHM (Prishtinë dhe Podujevë), gjithashtu dy janë për rajonin e Mitrovicës (Mitrovicë dhe Skenderaj) dhe dy për rajonin e Pejës (Pejë dhe Deçan). Një është për rajonin e Gjilanit, Prizrenit, Gjakovës dhe Ferizajt.
- Do të rrisim numrin e qendrave për autizëm dhe sindromën Down
Gjatë kërkimit në internet për këtë temë, REL-i nuk ka gjetur se është shtuar numri i qendrave për autizëm dhe sindromën Down, në dy vjetët e fundit, me fonde qeveritare.
Ministria e Shëndetësisë e as Qeveria nuk kanë kthyer përgjigje për këtë temë.
Drejtësi
Nga gjashtë premtimet e Vetëvendosjes në drejtësi, të cilat i ka analizuar REL-i, një nga to nuk ka nisur ende zbatimim, një është realizuar plotësisht, ndërsa katër të tjerat janë në proces.
- Procesi i vetingut do të nisë nga Këshilli Gjyqësor dhe Prokurorial
Vetingu nuk është finalizuar ende si proces. Ai synohet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese.
Tetor 2021
Qeveria e Kosovës miraton koncept-dokumentin për vetingun në drejtësi
Qershor 2022
Komisioni i Venecias publikon opinionin për koncept-dokumentin e Qeverisë së Kosovës për vetingun në drejtësi
Shtator 2022
Dosja e vetingut në drejtësi i dorëzohet kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Shkurt 2023
Komisioni ad-hoc i Kuvendit të Kosovës voton ndryshimet kushtetuese
Mars 2023
Kryetari i Kuvendit ia dërgon Gjykatës Kushtetuese amendamentet për mendim
Mars 2023
Në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese
Ministria e Drejtësisë i ka thënë REL-it se ka rezultate konkrete në këtë drejtim, “duke finalizuar amendamentet kushtetuese për vetingun e niveleve të larta në sistemin e drejtësisë, dhe gjithashtu një draft të parë të Projektligjit, i cili rrjedh po nga amendamentet e tilla”.
Dosja e dokumenteve të vetingut përfshin draftin e amendamenteve kushtetuese për vetingun, projektligjin, koncept-dokumentin dhe dokumentin shpjegues lidhur me vetingun, të hartuar nga Ministria e Drejtësisë, ka deklaruar ministrja Albulena Haxhiu.
Vetingu është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.
- Gjykata Administrative dhe ajo e Punës
Këto dy gjykata ende nuk janë krijuar. Ministria e Drejtësisë i ka thënë REL-it se janë duke punuar në koncept-dokumentin për Gjykatën Administrative dhe të Punës.
“Sipas planit të punimeve, puna në këtë koncept-dokument parashihet të përfundojë në qershor të këtij viti, kur edhe do të përcaktohen opsionet për realizimin e qëllimit të koncept-dokumentit, mënyra e realizimit, si dhe, varësisht këtyre, koha e mundshme e realizimit të tij”, thuhet në përgjigjen e MD-së.
- Do të hartohet projektligji për realizimin e të drejtave civile
Ky projektligj është në fazën fillestare.
Sipas MD-së, koncept-dokumenti për realizimin e të drejtave civile të palëve – përfshirë të drejtën e palëve në gjykim brenda kohës së arsyeshme – është në fazën e konsultimeve paraprake dhe më pas pritet të kalojë në fazën e konsultimeve me publikun.
“Do të dërgohet për miratim në Qeveri kah fundi i muajit prill ose fillimi i muajit maj”, tha MD.
- Shtimi i kapaciteteve në Departamentin Special të Gjykatës Themelore dhe të Apelit
Premtimi i partisë në pushtet se do të shtohen kapacitetet njerëzore dhe profesionale në Departamentin Special në kuadër të Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit në Prishtinë, nuk është realizuar.
Për dy vjet, asnjë gjyqtar nuk i është shtuar Departamentit Special në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Kjo gjykatë i ka thënë REL-it se Departamenti Special – i cili ka nisur punën në korrik të vitit 2019 – ka pasur 6 gjyqtarë, e pas një viti i janë shtuar edhe 6 gjyqtarë tjerë, “ndërsa tani operon vetëm me 10 gjyqtarë – numër që është më i vogël se kërkesat apo numri i trajtimit të lëndëve”.
“Sa i përket pyetjes suaj në raport me kapacitetet e këtij departamenti, Departamenti Special me kapacitetet ekzistuese po përpiqet të bëjë më të mirën e mundshme, mirëpo ka nevojë për ngritjen e kapaciteteve, si humane, e po ashtu edhe profesionale”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.
Ky departament, për nga kompetenca e trajtimit të rasteve, është homolog i Prokurorisë Speciale të Kosovës.
- Do të bëhen plotësime në Ligjin për Ndihmë Juridike Falas
Premtimi se ky ligj do të plotësohet, me qëllim që të drejtën për përfaqësim pranë gjykatave ta kenë edhe viktimat e dhunës në familje apo dhunës në baza gjinore, si dhe dhunës seksuale, por edhe në rastet civile të divorceve, amësisë, apo çështjet e trashëgimisë dhe ndarjes së pasurisë së përbashkët, është realizuar.
Ligji është ndryshuar dhe ka hyrë në fuqi më 24 shkurt, 2022.
- Do të fuqizohet Departamenti për krime lufte
Veç fuqizimit të Departamentit për krime lufte brenda Prokurorisë Speciale, pra mbështetjes me prokurorë të rinj dhe bashkëpunëtorë profesionalë, Vetëvendosje ka premtuar se do të angazhohej edhe për rishikimin e kurrikulës së trajnimeve brenda Akademisë së Drejtësisë, si dhe për shtimin e trajnimeve të veçanta e të specializuara brenda kësaj akademie për hetimin dhe trajtimin e rasteve të krimeve të luftës.
Gjatë kërkimit në internet për këtë temë, REL-i nuk ka gjetur të dhëna të sakta për shtimin e këtyre kapaciteteve, ndërsa Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje për këtë temë.
Por, MD-ja i ka thënë REL-it se me qëllim të shtimit të kapaciteteve për hetimin e krimeve të luftës, në vitin 2021 ka ndarë buxhetin e nevojshëm për rekrutimin e katër prokurorëve, gjashtë bashkëpunëtorëve dhe dy përkthyesve në Departamentin e krimeve të luftës.
Ekonomi dhe mirëqenie sociale
Nga 11 premtimet e Vetëvendosjes në ekonomi dhe mirëqenie sociake, të cilat i ka analizuar REL-i, tetë nga to nuk kanë nisur të përmbushen, dy nga to janë realizuar plotësisht, një është në proces.
- Shtesa për fëmijë: 10 dhe 20 euro në muaj
Vetëvendosje ka premtuar se të gjithë fëmijët nën moshën 2-vjeçare do të përfitojnë shtesa mujore në vlerë prej 20 eurosh, kurse për fëmijët nën moshën 16 vjeçare, shuma që përfitojnë do të jetë 10 euro në muaj. Ky premtim është realizuar.
Në gusht të vitit 2021 është marrë vendim për ndarjen e shtesave prej 20 eurosh për fëmijët nga 0 deri në 24 muaj. Ndërsa, shtesat prej 10 eurosh janë zbatuar gradualisht.
Vendimi i Qeverisë i qershorit 2022 thotë se “duke filluar nga data 1 janar 2023, të gjithë fëmijët nën moshën 16-vjeçare mund të marrin shtesa”.
- Pushimi i lehonisë dhe ai prindëror në total do të jenë 12 muaj
Vetëvendosje ka premtuar se pjesëmarrës në pagesë do të jetë edhe shteti dhe se këtë mundësi do ta kenë të dy prindërit. Ky premtim nuk është realizuar.
Ministria e Financave, Punës dhe Trasnfereve nuk i ka kthyer përgjigje REL-it në pyetjen se a ka nisur punën për plotësim-ndryshimin e Ligjit të punës.
Me ligjin aktual, babai i fëmijës ka të drejtë vetëm në dy ditë pushim me pagesë pas lindjes së fëmijës dhe dy javë pushim të papaguar.
Pushimi i lehonisë zgjat 12 muaj; 6 muajt e parë i paguan punëdhënësi në kompensim prej 70 për qind të pagës bazë; 3 muajt vijues i paguan Qeveria e Kosovës, në bazë të pagës mesatare në Kosovë – aktualisht 250 euro – ndërsa 3 muajt e fundit janë pa pagesë.
- Nënat e papuna do të marrin pagë minimale prej 250 eurosh për 6 muajt e pushimit të lehonisë
Ky premtim ka nisur të realizohet në shtator të vitit 2021, por me pagesë prej 170 eurosh në muaj.
Qeveria ka marrë vendim që lehonat e papuna në 12 muajt e fundit, të përfitojnë mbështetje financiare prej 170 eurosh për 6 muaj, ndërsa të punësuarat do të përfitojnë mbështetje financiare prej 170 eurosh për 3 muaj, krahas kompensimit të rregullt të pushimit të lehonisë.
- Skema e punësimit të garantuar për moshat 16-18 vjeç
Vetëvendosje ka premtuar që me këtë skemë, të rinjtë e moshave 16-18 vjeç do të kenë mundësinë e përfitimit të pagës dhe vendit të punës, të garantuar nga shteti deri në një vit të plotë.
Ky premtim nuk është realizuar. Ministria e Financave dhe Punës nuk i ka kthyer përgjigje REL-it se kur pritet të nisë zbatimi i këtij premtimi.
Platforma “superpuna” që u vu në funksion më 6 shkurt 2023 nga Qeveria e Kosovës, u dedikohet personave të papunë të moshës 18 deri në 25 vjeç.
Në kuadër të saj, shteti subvencionon punëdhënësin duke paguar pagën e punëtorit për gjashtë muaj, në vlerë prej 264 eurosh.
- Gjatë mandatit të parë të qeverisjes do të mundësojmë banim të përballueshëm për 4.000 familje
Deri në gjysmën e mandatit, ky premtim nuk është realizuar, dhe ende nuk ka një datë të saktë për nisjen e përmbushjes së tij. Qeveria e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje për këtë çështje.
Gjatë fushatës zgjedhore më 2021 është thënë se për këtë projekt do të shpenzohen 88 milionë euro për një mandat. Por, tani shuma është rritur.
Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Kuvend, në shkurt të këtij viti, duke cituar një studim të fizibilietit.
“Do të bëjmë të pamundurën që projekti të realizohet sa më shpejt që është e mundur”.
- Do t’i ndërtojmë edhe 5 shtëpi të tjera për të moshuarit
Gjatë kërkimit në internet për këtë temë, REL-i nuk ka gjetur se është shtuar numri i shtëpive për të moshuar.
Ministria Punës e as Qeveria nuk kanë treguar se sa qendra pritet të ndërtohen në dy vjetët e mbetur.
Aktualisht në Kosovë janë katër shtëpi për të moshuar, që udhëhiqen nga shteti.
- Do ta krijojmë Bankën Zhvillimore
Kjo bankë ende nuk është themeluar. Qeveria nuk i ka kthyer përgjigje REL-it nëse është ndërmarrë ndonjë hap në këtë drejtim, e as nëse ka afat për themelimin e saj.
- Do ta krijojmë Fondin Sovran dhe do ta shuajmë AKP-në
Projektligji për Fondin Sovran aktualisht është në konsultim publik, deri në prill. Pas konsultimeve procedohet për miratim në Qeveri dhe më pas në Kuvendin e Kosovës. Agjencia Kosovare e Privatizimit është funksionale.
Projektligji e definon Fondin Sovran si institucion investues dhe zhvillimor të Kosovës. Kapitali themeltar i tij, siç thuhet në projektligj, është 20 milionë euro dhe mbulohet nga Qeveria e Kosovës.
Disa nga ndërmarrjet publike, të cilat janë identifikuar se mund t’i barten Fondit Sovran, janë:
Në këtë pasuri, me të cilën do të menaxhojë Fondi Sovran, hyjnë ndërmarrjet publike të shtetit, ndërmarrjet shoqërore dhe asetet, të cilat aktualisht menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).
Pas themelimit të këtij fondi, sipas Vetëvendosjes, AKP-ja do të shuhet.
- Krijimi i “Grantit të katërt” për komunat për investime kapitale
“Përmes këtij granti, në katër vjetët e ardhshëm, komunave do t’u alokohen mbi 600 milionë euro, dhe komunat do të vendosin vetë për alokimin e këtyre shumave për projekte të ndryshme kapitale”, ishte një tjetër premtim i Kurtit. Ky premtim nuk është realizuar ende, ndërsa Ministria e Financave nuk i ka kthyer përgjigje REL-it se kur pritet të krijohet ky grant.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, i tha REL-it se, pavarësisht se në takimin e shtatorit me kryetarët e komunave, Kurti ka premtuar se do ta funksionalizojë këtë grant, ai është tërhequr nga Ligji për financat lokale dhe i njëjti nuk figuron në agjendën legjislative 2023.
- Do ta pesëfishojmë numrin e inspektorëve të punës
Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur të verifikojë nëse në vitin 2023 është shtuar numri i inspektorëve. Në vitin 2021 dhe 2022, sipas Ligjit për buxhetin, numri i të punësuarve ka qenë i njëjtë në Inspektoratin e Punës – nga 90 për secilin vit. Inspektorati e as Ministria e Punës nuk i janë përgjigjur REL-it për këtë temë.
Inspektorati i Punës në vitin 2021 ka pasur 90 të punësuar, nga ta 38 inspektorë. Njësoj ka qenë edhe në vitin pasues. Por, në buxhetin për vitin 2023, numri i të punësuarve figuron 190 – pa specifikuar kategorinë.
Ky inspektorat është institucioni primar që përkujdeset për të drejtat e punëtorëve në vend.
- Të gatshëm të ofrojmë një intervenim ambicioz fiskal
“Për qeverinë tonë, kthimi i jetës ekonomike në normalitet, është natyrshëm kryeprioriteti i angazhimit në ditët, muajt dhe vitin e parë të qeverisjes. Jo vetëm kthim në normalitet, por edhe përgatitje të të gjithë neve për një mënyrë të re të të bërit biznes. Dhe, për këtë jemi të gatshëm të ofrojmë një intervenim ambicioz fiskal”, ka premtuar partia e Kurtit. Por, këto intervenime ende nuk kanë ndodhur. Qeveria e as Ministria e Financave nuk i kanë kthyer përgjigje REL-it për këtë çështje.
Nga Oda Ekonomike e Kosovës i kanë thënë REL-it se nuk ka pasur asnjë intervenim fiskal deri më sot.
Sipas kësaj ode, “biznesi nuk ndodhet në ditët më të mira” dhe “ka nevojë për mbështetje, sidomos me lehtësira në politika fiskale”.
Arsim
Nga shtatë premtimet e Vetëvendosjes në arsim, shkencë dhe teknologji, të cilat i ka analizuar REL-i, tri nga to nuk kanë nisur ende të realizohen, dy janë realizuar plotësisht, ndërsa dy janë në proces.
- Do ta themelojmë një tekno-park, një fakultet për teknologji informative dhe hapësira për start-ups
“Përveç kësaj, e kemi konceptuar një paketë, që na siguron se talenti, dija dhe puna e rinisë do të optimalizohen, duke e vendosur shtetin tonë në hartën botërore të inovacionit dhe teknologjisë. Për përforcimin e kësaj politike do ta themelojmë e jetësojmë një tekno-park, një fakultet për teknologji informative dhe hapësira për start-ups”, ka premtuar Vetëvendosje para dy vjetësh.
Gjatë kërkimit në internet për këtë temë, REL-i nuk ka gjetur se ky premtim është realizuar, ndërsa Ministria e Arsimit nuk ka kthyer përgjigje për këtë temë.
- Do t’i shtojmë 160 çerdhe në të gjithë vendin
“Do të kujdesemi që për fëmijët të krijojmë vende të mjaftueshme në çerdhe duke i shtuar edhe 160 çerdhe në të gjithë vendin”, ka premtuar Vetëvendosje.
Ministria e Arsimit nuk i ka kthyer përgjigje REL-it se sa çerdhe janë ndërtuar për dy vjet, sa janë në proces e sa pritet të ndërtohen gjatë këtij viti.
Gjatë kërkimit në internet, Radio Evropa e Lirë ka gjetur se, në dy vjetët e fundit, një çerdhe është inaguruar në muajin shkurt në Gjilan.
Gjithashtu, në maj të vitit 2022, është hapur tenderi për ndërtimin e 6 çerdheve tjera në Prishtinë, Podujevë, Gjilan, Viti, Deçan, Gjakovë.
Më 21 mars është hapur tenderi për ndërtimin edhe të tri çerdheve në Podujevë, Fushë Kosovë dhe Shtime.
- Shujta falas për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën
Gjatë kërkimit në internet për këtë temë, REL-i nuk ka gjetur se nxënësit e ciklit të ulët në gjithë Kosovën marrin shujta falas. MASHTI nuk ka kthyer përgjigje për këtë temë, ndërsa disa drejtorë të drejtorive të arsimit nëpër komuna i kanë thënë REL-it se nuk ka nisur zbatimi i këtij premtimi.
- Do ta rianëtarësojmë Kosovën në ENQA dhe EQAR
“Angazhimi ynë do të orientohet në rianëtarësimin e Kosovës në ENQA dhe EQAR”, ishte një tjetër premtim i Vetëvendosjes.
Kosova është rianëtarësuar në Asociacionin Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) si anëtare pa të drejta të plota, vitin e kaluar.
Ndërsa, rianëtarësimi në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) nuk ka ndodhur ende.
Kosova u përjashtua nga EQAR në vitin 2018, ndërsa nga ENQA në vitin 2019.
- Hiqen tarifat për pagesën e semestrit
“Në institucionet publike do të hiqen tarifat për pagesën e semestrit”, ka premtuar Vetëvendosje.
Ky premtim është realizuar. Nga 1 tetori 2021, me vendim të Qeverisë së Kosovës, është hequr komplet pagesa për nivelin “bachelor” dhe “master” në Univeristetin e Prishtinës.
- Rreth 1.000 bursa studentore për vajzat
“Buxhetimi i bursave studentore do të avancohet. Por, ne planifikojmë që të fuqizojmë e mbështesim vajzat, andaj zotohemi të sigurojmë 1.000 bursa studentore – me prioritet ato që zgjedhin të studiojnë shkencat teknike e natyrore, brenda e jashtë vendit”, ka premtuar Vetëvendosje.
Në vitin 2021, MASHTI ka ndarë 1.000 bursa për studentet e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (STEM). Njësoj ka vepruar edhe më 2022.
- Fondi i hulumtimeve në univeristete
“Universitetet do t’i fuqizojmë drejt kërkimit shkencor me Fondin e Hulumtimeve që e themelojmë për herë të parë, dedikuar kërkuesve, ligjëruesve, profesorëve e specialistëve mjekësorë”, ka premtuar partia e Kurtit.
Gjatë kërkimit në internet për këtë temë, REL-i nuk ka gjetur se MASHTI ka themeluar këtë fond, ndërsa ministria nuk ka kthyer përgjigje se kur planifikon ta themelojë atë.
Bujqësi
Nga tri premtimet e Vetëvendosjes në bujqësi, të cilat i ka analizuar REL-i, asnjëra nga to nuk ka nisur ende të realizohet. Ministria e Bujqësisë nuk i është përgjigjur interesimit të REL-it për këtë temë.
- Do të punojmë për anëtarësimin e Kosovës në Fondin Ndërkombëtar për Zhvillimin e Bujqësisë
Gjatë kërkimit në internet për këtë temë, REL-i nuk ka gjetur se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në këtë fond. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si ministri përgjegjëse për aplikim në nisma rajonale dhe organizata ndërkombëtare, nuk i ka kthyer përgjigje REL-it për këtë çështje. Përgjigje nuk ka kthyer as Ministria e Bujqësisë.
- Do ta financojmë bujqësinë për çdo vit deri në 100 milionë euro
Buxheti i Ministrisë së Bujqësisë në asnjërin nga dy vjetët paraprakë nuk ka qenë 100 milionë euro. Referuar Ligjit për buxhet, ai është rritur një herë për rreth 10 milionë euro, e më pas për mbi 15 milionë. Aktualisht, buxheti i kësaj ministrie është rreth 87 milionë euro.
Buxheti 2021
61.255.497 euro
Buxheti 2022
71.097.910 euro
Buxheti 2023
86.710.224 euro
- Çmim dysheme për kulturat kryesore bujqësore e blegtorale
“Në mënyrë që të sigurojmë një treg vendor që nuk përbuz mundin e fermerëve, do të sigurohemi që të ketë çmim dysheme për kulturat kryesore bujqësore e blegtorale. Kësisoj, shteti garanton blerjen në njërën anë dhe mbush rezervat shtetërore në anën tjetër”, thuhet në premtimin e partisë në pushtet.
Por, Qeveria e as Ministria e Bujqësisë nuk i kanë kthyer përgjigje REL-it për vendosjen e këtij çmimi, e as blerjen e këtyre produkteve nga shteti.
Rend dhe siguri publike
Nga katër premtimet e Vetëvendosjes në mbrojtje dhe siguri publike, të cilat i ka analizuar REL-i, asnjëra nga to nuk ka nisur të realizohet.
- Do ta përgatisim planin për shërbimin ushtarak
Në premtimin e Vetëvendosjes thuhet se ky plan do të jetë i kombinuar në 3+3 muaj për të rinjtë “duke u kujdesur për shtimin e kapaciteteve trajnuese dhe edukuese të Forcës së Sigurisë së Kosovës”. Ky premtim ende nuk është jetësuar.
Në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes thuhet: “Aktualisht, jemi në vlerësim të kostos financiare për komponentën rezervë të FSK-së, ku përfshihet dhe shërbimi vullnetar e specialistik, që pritet të përfundohet gjatë muajit qershor”.
FSK-ja është në proces të transformimit në ushtri të plotë që nga viti 2018. Ky proces pritet të zgjasë dhjetë vjet. Pritet që FSK-ja, gjatë transformimit, të dyfishojë numrin e forcave të saj dhe të bëhet një ushtri profesionale prej 5.000 trupash.
- Sigurimi jetësor dhe shëndetësor për zyrtarët policorë
“Njëjtë sikurse Policia e Kosovës që na jep neve siguri, edhe ne duhet t’u japim zyrtarëve policorë sigurimin jetësor e shëndetësor, si një e drejtë e garantuar për punën e tyre të rëndësishme, por edhe nën rrezik”, ka qenë premtimi i Vetëvendosjes, i cili ende nuk është realizuar.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës ende nuk kanë sigurim shëndetësor. Që nga viti 2001, në kryerje të detyrës kanë vdekur 23 zyrtarë policorë, ndërsa rreth 500 të tjerë kanë pësuar lëndime – disa prej të cilëve kanë mbetur të paaftë për të ushtruar sërish detyrën e policit.
Policia e Kosovës numëron një staf prej afër 10 mijë personash.
- Do të përgatitemi për ta bërë Kosovën anëtare të Kartës së Adriatikut
Gjatë kërkimit në internet për këtë temë, REL-i nuk ka gjetur se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në këtë kartë. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si ministri përgjegjëse për aplikim në nisma rajonale dhe organizata ndërkombëtare, nuk i ka kthyer përgjigje REL-it për këtë çështje. Ndërsa, Ministria e Mbrojtjes i ka thënë REL-it se, në aspektin ushtarak, Kosova është “në rrugën e duhur, e për këtë jemi në koordinim të vazhdueshëm me këshilltarët e Zyrës Ndërlidhëse të NATO-s”.
- Funksionalizimi i Aeroportit të Gjakovës
Premtimi ishte që ky aeroport do të funksionalizohet me dy shërbime bazë: kargo [bartje e mallrave] dhe udhëtime me kosto të ulët. Përveçse nuk është realizuar, ky premtim nuk përmendet as në programin katërvjeçar të Qeverisë, e cila nuk ka kthyer përgjigje për këtë çështje.
1998/99
Aeroporti i Gjakovës është rindërtuar nga misioni i NATO-s në Kosovë , KFOR, përkatësisht nga paqeruajtësit italianë
1999 – 2013
Aeroporti është përdorur për mbështetjen e aktiviteteve ushtarake të KFOR-it
Dhjetor 2013
Aeroporti me të gjitha mjetet për operim transferohet tek autoritetet e Kosovës
2019
Këtë aeroport, Qeveria ia jep në shërbim Ministrisë së Mbrojtjes, përkatësisht Forcës së Sigurisë së Kosovës
2023
Hapësirat e Aeroportit të Gjakovës përdoren për nevojat e FSK-së
Hapja e një aeroporti të dytë civil në Kosovë mund të jetë vështirë e realizueshme për shkak të kontratës mes autoriteteve të Kosovës dhe konsorciumit “Limak & Aeroport de Lyon”.
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, në vitin 2010, i është dhënë në shfrytëzim këtij konsorciumi të huaj për një periudhë 20-vjeçare. Në kontratë sigurohet se ai nuk do t’i nënshtrohet konkurrencës së drejtpërdrejtë me hapjen e një aeroporti tjetër komercial në Kosovë.
Nëse një aeroport i tillë hapet, Qeveria e Kosovës obligohet ta sigurojë konsorciumin në fjalë se nuk do të ketë humbje nga një kompani ndërkombëtare, që potencialisht do të operonte në Kosovë.
Kulturë dhe sport
Nga pesë premtimet e Vetëvendosjes në kulturë dhe sport, të cilat i ka analizuar REL-i, katër nga to janë realizuar pjesërisht, ndërsa një nuk kanë nisur ende të zbatohet.
- Do ta themelojmë Teatrin e Operës dhe Baletit
“Do ta themelojmë Teatrin e Operës dhe Baletit si institucion të vetëqëndrueshëm, si dhe do të fillojmë ta ideojmë Teatrin e ri Kombëtar. Kosova, për herë të parë, do të ketë ndërtesë të dinjitetshme për operë dhe balet”, ka qenë premtimi i Vetëvendosjes, i cili është në proces të realizimit.
Teatri i Operës dhe Baletit është në fazën e dytë të konkursit ndërkombëtar për projektim, i tha REL-it Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Lokacioni për ndërtimin e këtij objekti është ndarë vitin e kaluar dhe është hapësira pranë Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Ministria tha se teatri është duke iu nënshtruar renovimit të tërësishëm dhe se tash është në fazën e zhvillimit të projektit ideor dhe zbatues.
- Hapja e kinemave të reja
“Shikueshmëria e filmit do të rritet dhe nxitet përmes formimit të kinemave të reja në komunat e Kosovës, me një program të veçantë për investime në infrastrukturë, dhe me mbështetje për programacionin filmik”, ka qenë premtimi i Vetëvendosjes.
Gjatë kërkimit në internet për këtë temë, REL-i nuk ka gjetur se është shtuar numri i kinemave. Në këtë pyetje, Ministria e Kulturës nuk ka pasur përgjigje konkrete.
- Do t’i këndellim muzetë
“Ndër projektet konkrete që do të trajtohen me prioritet, janë: Muzeu i Historisë së Natyrës, Muzeu i Burgut të Prishtinës, Muzeu Arkeologjik dhe zhvillimi i projekteve të tjera muzeale kombëtare dhe komunale”, ka qenë premtimi tjetër.
Ministria e Kulturës tha se gjatë viteve 2021-2022 janë zhvilluar projekte të ndërhyrjeve në nëntë muze të Kosovës. Ndërsa, gjatë këtij viti, përmenden katër projekte që janë në zhvillim.
- Do të themelohet Fondi për ndërhyrje emergjente
“Si hap i parë themelohet Fondi për ndërhyrje emergjente për të shpëtuar mbi 100 asete të listës ‘trashëgimia në rrezik’. Krahas ‘ndihmës së parë’, do të fuqizohet inspektorati për të siguruar mbikëqyrje efektive dhe parandalim të aktiviteteve që cenojnë asetet e trashëgimisë”, thuhej në premtimin e Vetëvendosjes.
Ministria e Kulturës tha se gjatë vitit 2021 janë realizuar ndërhyrje në 65 asete të trashëgimisë kulturore në gjithë Kosovën, ndërsa gjatë këtij viti priten ndërhyrje në 50 asete të tjera nga kjo listë.
Kjo ministri nuk tregoi nëse është shtuar numri i inspektorëve, por tha se puna është dinamizuar.
- Do ta ndërtojmë stadiumin dhe pishinën olimpike
“Përveç buxhetit për investime të mëdha nacionale – ndërtimin e stadiumit, pishinës olimpike dhe qendrës multifunksionale – ne do të sigurojmë hapësira të nevojshme për stërvitje dhe zhvillim të sportit rekreacional/shëndetësor”, ka qenë premtimi i Vetëvendosjes.
Ministria e Kulturës nuk i është përgjigjur direkt pyetjes së REL-it se kur pritet ndërtimi i tyre.
“Stadiumet e futbollit, të kategorizuara dhe të standardizuara me standarde të UEFA-s, janë planifikuar në planin 5-vjeçar për investim në infrastrukturën e futbollit në Kosovë, i cili parasheh konsolidimin e infrastrukturës së futbollit në mbështetje të lojërave ndërkombëtare e kombëtare, klubeve e rinisë së talentuar të Kosovës. Me këtë plan kanë filluar të rinovohen, përfundohen dhe ndërtohen stadiumet dhe terrenet sportive që zhvillojnë paralelisht infrastrukturën në të gjitha nivelet”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Misioni i Radios Evropa e Lirë është plasimi i informatave dhe ideve që promovojnë vlerat dhe institucionet demokratike. Radio Evropa e Lirë financohet nga fondi i Kongresit amerikan përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Media Globale.