Dy ushtarë të Rusisë në Siri janë vrarë nga predhat e grupit ekstremist, Shteti Islamik, në provincën lindore, Deir Ezzor, ku ushtria lufton kundër militantëve të këtij grupi, ka njoftuaar mbrëmë Ministria e mbrojtjes e Rusisë.
Në kumtesën e transmetuar nga agjencitë ruse të lajmeve, kjo ministri thekson se një ushtar ishte vrarë menjëherë, ndërsa tjetri kishte vdekur në spital nga plagët e pësuara.
Të dy ushtarët e vrarë ishin duke udhëtuar në kuadër të një konvoji, kur ata ishin qëlluar nga “zjarri i predhave nga terroristët e Shtetit Islamik”, ka njoftuar Ministria e mbrojtjes e Rusisë.
Tash, numri i ushtarëve të vrarë të Rusisë në Siri është 34.
Dje më herët gjatë ditës, Rusia kishte shpallur se po i mbështeste trupat e Sirisë në ofensivën e tyre për marrjen e kontrollit në provincën, Deir Ezzor, që është rajoni i fundit në Siri nën kontroll të ekstremistëve të Shtetit Islamik.
Në shtator të vitit 2015, Rusia ka intervenuar në luftën civile në Siri, në anën e qeverisë së presidentit, Bashar al-Assad.

















