Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj dy të pandehurve E.K. dhe A.K., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Fajdeja” dhe “Detyrimi”.
Sipas njoftimit të gjykatës, paraburgimi mund të zgjasë deri më 11 prill 2026. Vendimi është marrë nga gjyqtarja e procedurës paraprake, e cila ka vlerësuar se ekzistojnë arsye ligjore për caktimin e kësaj mase.
Sipas dyshimeve të deritanishme, nga viti 2021 dhe në vazhdimësi, i pandehuri E.K. dyshohet se duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës B.Ç., i ka dhënë para me kamatë, duke kontraktuar përfitime të larta dhe joproporcionale. Si rezultat i kësaj skeme, vetëm në emër të kamatave, i dyshuari dyshohet se ka marrë mbi 400 mijë euro nga viktima.
Në përpjekje për të ndihmuar në shlyerjen e borxhit, në këtë çështje është përfshirë edhe viktima e dytë B.B., e cila kishte marrë para nga të pandehurit për t’i ndihmuar viktimës së parë.
Sipas gjykatës, për shkak të grumbullimit të kamatave, të pandehurit kërkonin nga viktimat 550 mijë euro. Për të siguruar këtë shumë, ata dyshohet se kanë kërkuar që në emër të kamatave t’u kalohen në pronësi dy lokale afariste dhe një shtëpi, me vlerë të përgjithshme rreth 1 milion euro.
Po ashtu, sipas dyshimeve, të pandehurit kanë përdorur dhunë fizike dhe kanosje ndaj viktimave për t’i detyruar të kryejnë procedurat për transferimin e pronave. Më 11 mars 2026, viktima së bashku me nënën e tij kishin shkuar në zyrën e përmbaruesit privat dhe më pas tek noteri për procedurat e kalimit të pronës, por Policia kishte ndërhyrë pas aplikimit të masave të veçanta hetimore dhe kishte arrestuar të dyshuarit.
Gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku i arratisjes, ndikimit në dëshmitarë dhe viktima, si dhe mundësia e përsëritjes së veprave penale, andaj paraburgimi është konsideruar i domosdoshëm në këtë fazë të procedurës.
Megjithatë, gjykata thekson se këto dyshime do të vlerësohen në fazat e mëtejme të procedurës penale.


















