Arbesa Ibrahimi
Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, nuk do ta ketë të lehtë të fitojë në garën për të parin e shtetit.
Dy janë pengesat kryesore për realizimin e ëndrrës së tij.
Në njërën anë, presidentja aktuale Atifete Jahjaga, po pretendon që edhe një mandat të jetë në krye të shtetit, derisa në anën tjetër, një pjesë e deputetëve janë duke punuar intensivisht që ta pengojnë realizimin e marrëveshjes me PDK-në, e cila Thaçin e bën kryetar të Kosovës.
Sipas burimeve të Gazetës Blic, gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës presidentja aktuale e vendit, Atifete Jahjaga, është duke lobuar për të qëndruar edhe për një mandat në krye të shtetit.
“Jahjaga gjatë qëndrimit në SHBA në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, është duke lobuar që edhe për një mandat të qëndrojë në krye të shtetit të Kosovës”, ka thënë një burim ndërkombëtar.
Hashim Thaçin pos Jahjagës, edhe një pjesë e deputetëve të LDK-së do të mundohen ta pengojnë, që ai të mos vie në postin e Presidentit të vendit.
Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, ka thënë për Gazeta Blic se assesi nuk do t’ia japë votën të parit të PDK-së për këtë post, ngase vet ai dhe subjekti i tij politik i kanë sjellë vetëm të këqija vendit, ku një prej tyrë është edhe ngecja e procesit për heqjen e vizave.
“E kam përsëritur shumë herë se unë nuk do ta votoj Thaçin për president. Partia, kryetar i së cilës është ai, është e lidhur me krimin e organizuar, hajnitë e panumërta dhe korrupsionin. Si pasojë, Kosova ka pengesa serioze për liberalizimin e vizave dhe integrimin në Bashkimin Evropian. Si mund t’i kontribuojë Hashim Thaçi Kosovës si president,kur ai vet, bashkë me partinë e tij e me strukturat e tyre mafioze- kriminale, janë bërë pengesa serioze që Kosova të integrohet në institucionet ndërkombëtare”, është shprehur Salihaj.
Më pas, ai ka shtuar se, edhe në Partinë Demokratike, por edhe në LDK, ka deputetë që nuk do ta adresojnë votën e tyre në drejtim të zëvendëskryeministrit të tanishëm.
“Mendoj se ka deputetë në të dy partitë e pozitës, të cilët nuk do ta votojnë Thaçin për president të vendit”, ka thënë ai.
Për dallim nga Salihaj, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci është shprehur i bindur në fitoren e Thaçit. Ai për TV Dukagjinin, ka thënë se pikërisht Hashim Thaçi do ta fitojë këtë garë. Madje, ka shtuar se Marrëveshja mes dy partive të koalicionit do të respektohet dhe i pari i PDK-së, padyshim, do të jetë President i ardhshëm i Republikës së Kosovës.
Kurse, ndryshe nga Grabovci, njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj i ka thënë Gazetës Blic, se nuk do të jetë Thaçi, ai i cili do ta drejtojë shtetitn në mandatin që vjen. Përkundrazi, sipas tij, Presidentja aktuale ka gjasa më të mëdha që ta vazhdojë këtë mandat.
“Nuk besoj se Hashim Thaçi është i interesuar të bëhet president, me kompetencat aktuale që i ka kjo pozitë. Për më tepër, është pak e besueshme që ai të heq dorë nga partia, për ta marrë një post të tillë. Pavarësisht marrëveshjes me LDK-në, Thaçi nuk do të zgjidhet president dhe mbase ky do të jetë momenti edhe kur koalicioni qeverisës aktual do të marrë fund. Kurse, Atifete Jahaga, mund ta vazhdojë edhe një mandat si zgjidhje në një situatë krize poltike që mund të krijohet”, ka thënë Mushkolaj.
Zgjedhjet për president të vendit, pritet të mbahen në muajin janar të vitit të ardhshëm dhe kandidati përkatës për këtë post, do të votohet nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. / Gazeta Blic