Dy orë në takim me ministrin, Sindikata e Policisë së Kosovës paraqesin 14 kërkesa

E publikuar: 25/03/2024 21:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në shumicën e postimeve e njoftimeve të tij në rrjete sociale, ministri i Punëve të Brendshme mburret e i përgëzon Policinë e Kosovës.

Por, fjalët nuk po janë të mjaftueshme për ta, meqenëse këtë të hënë për 2 orë e takuan Xhelal Sveçlën duke i kërkuar gjëra esenciale për punë, siç janë veshmbathjet.

Sindikata e Policisë së Kosovës, para ministrit paraqiten gjithsej 14 kërkesa.

Pos veshmbathjes e mjeteve të punës, sindikalistët insistojnë në moshën e pensionit 55 vjeç, sigurim shëndetësor e jetësor, shujta ditore për të gjithë pjesëtarët dhe pagesë për ushtim.

Pothuajse për të gjitha ata morën indikacione pozitive për plotësim të tyre.

“Neve të gjitha këto sikur u thanë se janë në një proces të ecurive drejtë realizmit. Një komision u tha se është duke punuar rreth kërkesave dhe çështja tjera coftë pensionimi dhe sigurimin shëndetësore dhe të tjerat që të realizohen. Mbetëm pak mangur tek kërkesa për shujtat derisa të transporti na u tha se si të përfundon tenderi do të realizohet”, tha Imer Zeqiri- Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës.

Zeqiri, para ministrit ngriti dhe shqetësimin e dorëheqjeve të prestareve policorë shkaku i kushteve të vështira financiare dhe pagës së ultë.

“Ka ankesa të tjera te dorëheqjet që thonë se udhëtojnë dhe kur e kanë llogarit nuk i kanë mbet as 100 euro pagë në fund të muajit. Kërkesë e jona ishte që të plotësohen kushtet dhe të parandalojmë dorëheqjet. Deri tani kemi 12 ose 13 dorëheqje vullnetare”, shtoi Zeqiri.

Në këtë takim u fol edhe për kërkesat e pjesëtarëve elitarë e që Zeqiri thotë se nga ministri, u njoftua se një komision qeveritarë po merret më kërkesat e tyre.

Në këtë takim, i pranishëm ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.