Dy kryetarët e veriut pas takimit me Hovenier: Të kthehet normaliteti që puna jonë të ketë kuptim

E publikuar: 29/05/2023 17:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri dhe kryetari i Zveçanit, Ilir Peci kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët ku kanë thënë se do të presin kthimin e normalitetit për ta kryer detyrën e tyre.

Zeqiri dhe Peci thonë se janë të shqetësuar për mundësinë e eskalimit të situatës.

“Ne duam dhe jemi të gatshëm që këtë punë ta nisim menjëherë. Megjithatë, mundësia e eskalimit të situatës mbetet shqetësimi ynë i madh. Ushtrimi i detyrës tonë si Kryetarë do të duhej të bëhej normalisht, sikur i çdo Kryetari tjetër komune, pa pasur nevojë për mbrojtje policore”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Ata kanë kërkuar kthimin e normalitetit, “në mënyrë që edhe puna jonë të ketë kuptim”.

Deklarata e plotë e kryetarëve të dy komunave veriore:

Deklaratë e Izmir Zeqirit, Kryetar i Zubin Potokut dhe Ilir Pecit, Kryetar i Zveçanit

Sot, bashkërisht, i jemi përgjigjur pozitivisht ftesës për takim me ambasadorin amerikan, Jeffrey Hovenier dhe shefin e misionit të BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, si dhe me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott.

Bashkë kemi diskutuar për situatën në komunat e pjesës veriore të Kosovës, pas zhvillimeve të fundit të cilat pasuan betimin tonë si Kryetarë të komunave përkatëse.

Që nga dita kur i kemi shpallur kandidaturat për Kryetarë të komunave të Zveçanit dhe të Zubin Potokut, e deri sot, qëllimi dhe synimi ynë ka qenë i qartë: që t’u shërbejmë të gjithë qytetarëve të komunave tona, pa asnjë dallim, drejtë dhe profesionalisht.

Natyrisht, situata në të cilën ndodhemi aktualisht, nuk i pëlqen askujt. Prandaj, në këto momente, iu bëjmë thirrje të gjitha palëve për qetësi, sepse dhuna ka qenë dhe mbetet e patolerueshme në proceset demokratike.
Personalisht, pasi që edhe jetojmë në Zveçan e Zubin Potok, e njohim situatën faktike ne terren dhe e dijmë mundësinë reale për përshkallëzimin e gjendjes. Kjo gjë nuk i shërben askujt, e më së paku qytetarëve, të cilët kanë nevojë për punë dhe progres në komunën tonë.

Ne duam dhe jemi të gatshëm që këtë punë ta nisim menjëherë. Megjithatë, mundësia e eskalimit të situatës mbetet shqetësimi ynë i madh. Ushtrimi i detyrës tonë si Kryetarë do të duhej të bëhej normalisht, sikur i çdo Kryetari tjetër komune, pa pasur nevojë për mbrojtje policore.

Jemi zgjedhur nga qytetarët në një proces të lirë dhe demokratik, prandaj, edhe kushtet duhet të krijohen që të qeverisim lirshëm dhe në bashkëpunim me ta. Andaj, ne kërkojmë që sa më parë të kthehet normaliteti, në mënyrë që edhe puna jonë të ketë kuptim.

Natyrisht, në arritjen e synimeve të përbashkëta, për punë, zhvillim e normalitet, kërkojmë bashkëpunimin e të gjitha institucioneve dhe të gjithë hisedarëve relevantë, vendorë e ndërkombëtarë